Mungon uji, një lagje në Vlorë në protestë
Vlorë- Banorët e lagjes “Lirim” në Vlorë kërcënojnë me bllokim të rrugës kryesore nëse nuk merren masa për t’i sjellë ujin e pijshëm.
Kërcënimi vjen pas mungesës së gjatë të ujit të pijshëm në banesat e tyre, situatë kjo që përsëritet në vite për këtë lagje. Gati dy muaj mungese uji, ka humbur durimin e banorëve, të cilët kërcënojnë se do të nisin protestat, të cilat nuk do të jenë pa pasoja.
Sipas banorëve ata kanë mbi 15 vjet që shumë herë kanë mungesa, ndërsa kjo verë ka qenë edhe më e vështirë për ta.“Nuk kemi pikë uji në banesa prej dy muajsh dhe nuk mund të gjejmë dot zgjidhje tjetër”- thotë një nga banoret.
Lagja në fjalë ka qenë tepër problematike për furnizimin me ujë të pijshëm, duke mbartur në vite shqetësime që nuk kanë pasur një zgjidhje të plotë. Edhe drejtues të ujësjellësit e kanë pasur të vështirë një zgjidhje përfundimtare, ndërsa kanë zgjidhur vetëm furnizimin me autobote, ku një zjarrfikëse ka ardhur në zonë për të sjellë ujë pranë familjarëve.
Problemet e ujit të pijshëm kanë nisur që me një defekt të krijuar në rrjetin elektrik, që ka bërë që sistemi i pompave të prishë funksionimin normal.
Drejtori i ujësjellësit, Viron Hysi shpjegon për se anomalia me furnizimin me ujë të pijshëm ditët e fundit në shumë prej zonave të qytetit, e ka fillesën prej një defekti të rëndë në linjat e tensionit të lartë, ku ndodhen edhe pompat qendrore.
Sipas Hysit ka një rritje konsumi këtë sezon, i cili ka pasuar uljen e fuqisë furinizuese te popullata në përgjithësi. Rrjeti eksizistues, ndërtuar vite më parë parashikon një furnizim normal për rreth 70 mijë banorë.