E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murat Basha: E vërteta e Sigurimit në radhët e Legalitetit në mërgim

TIRANE-Prej shumë ditësh gazeta ka botuar një intervistë të hollësishme të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist në Paris, Hasan Luçin. Në atë intervistë të zgjeruar, zoti Luçi foli kryesisht për rekrutimin e njerëzve më të afërt të oborrit mbretëror dhe Legalitetit në mërgim. Është vetë Legaliteti, i cili nëpërmjet intervistës së njërit prej eksponentëve kryesorë të partisë, siç është Murat Basha, i kundërvepron sot pikërisht dëshmisë së Hasan Luçit. Murat Basha, pavarësisht se është i ri në moshë, mban një post shumë të rëndësishëm në partinë e Mbretit. Ai flet për shumë detaje të historisë së Familjes Mbretërore, në të cilat tregon se i njeh shumë mirë, për faktin se koha e gjatë e punës së tij shumë afër mbretit Leka I, ajo periudhë e gjatë pranë mbretit, e ka bërë atë t'i mësojë mirë faktet dhe historinë në mërgim, të partisë ku sot është numri i saj. Por çfarë thotë konkretisht Murat Basha në këtë intervistë tepër interesante, të cilën e fillon që me edukimin dhe brumosjen e tij familjare të ndjenjës për mbretin dhe mbretërinë, e deri te realizimi i ëndrrës së tij për të takuar nga afër mbretin Leka, të cilin e arriti në fillim të viteve '90. E ndërkohë, për historinë e luftëtarëve të Legalitetit të cilët janë akuzuar nga komunizmi si terroristë, Murat Basha deklaron se edhe vetë po të kishte qenë në perëndim në vitet '70 nuk do të kishte ndenjur pa hedhur bomba mbi ambasadat e Shqipërisë komuniste në Europë. Për më tepër, le të ndjekim intervistën e tij në shkrimin e mëposhtëm.

Zoti Basha. Në numrin e kaluar të kësaj interviste, folëm kryesisht për veprimtarinë e Sigurimit komunist ndaj emigracionit shqiptar në perëndim. Kur u ndje më shumë në radhët e legalitetit influenca e këtij sigurimi?
Veprimtaria e Sigurimit u shtua mbas "Kuvendit të Madridit", mbajtur më 30 qershor - 4 korrik 1972, ku u mblodhën gati të gjithë eksponentët e emigracionit politik shqiptar, nga ku u dol me një rezolutë të përbashkët, në të cilën theksi vihet tek lufta kundër regjimit të paligjshëm komunist të Tiranës dhe çlirimi i Shqipërisë Etnike. Gjithashtu tronditës për bandën kriminale komuniste ishte edhe krijimi i "Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare" dhe "Këshillit Ushtarak", me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, realizuar po në Madrid, në mbledhjen e quajtur "Lidhja e Dytë e Prizrenit". Me rastin e krijimit të "Lidhjes së Prizrenit" i është bërë me dije spiunëve të Beogradit dhe Tiranës, se veprimtaria e tyre do jetë nën vëzhgim të pandërprerë...Këtu është marrë edhe një vendim(sipas procesverbalit), që nëse UDB-ja do ndërmerte goditje kundër shqiptarëve të trojeve etnike, për një goditje do t'i jepeshin dy ose tre, sipas rastit.... Jo 'minjve' të Sigurimit, po UDB-së.
Le të ndalemi në emra konkretë, të cilët kanë deklaruar, se kanë qenë pikërisht njerëzit e Sigurimit në radhët tuaja, pra të Legalitetit. Konkretisht, ç'mund të thoni për Isuf Mullain?
Isuf Mullai kurrë nuk ka qenë kryetar i P.L.L. në Belgjikë, ai ka qënë vetëm sekretar dege. Isuf Mullai, por edhe të tjerë, nuk kanë punuar vetëm për Tiranën….
Po Andon Konomi?
Andon Konomi nuk ka qenë kurrë ministër i Oborrit Mbretëror Shqiptar. Ministra kanë qenë vetëm me tre persona, Hysen Selmanin, Xhemal Lacin dhe Abedin Mulosmanin. Ai nuk ka qenë as edhe një ditë kryetar i Legalitetit në Belgjikë. Ka dokumente të shkruara për këto fakte. Është shpifje e turpshme, të thuash se "ne nuk kemi dashur ta vrasim Mbretin Leka".
Pse, kanë tentuar?
Të paktën nja tetë raste m'i ka treguar Mbreti kur kriminelët e dërguar ose të paguar nga Tirana, kanë dashur t'i bëjnë atentate, apo vënë eksploziv, por kanë dështuar me sukses. Paranoja e këtyre 'patriotëve' të mahnit; ata vazhdojnë të besojnë se kanë qenë fuqiplotë, për të realizuar gjithçka, kjo si pasojë e faktit se brenda Shqipërisë ata ishin 'zotër', por jashtë saj ishte ndryshe. Teoritë konspirative që i patën mbërthyer (vazhdojnë edhe sot të vegjetojnë me ato), i kanë bërë, që në mendjet e tyre të sëmura, të krijojnë kombinacione haluçinante, pra gënjeshtra, që sot i besojnë edhe vetë. Ashtu si i krijonin kur vrisnin, burgosnin, masakronin, torturonin dhe bënin gjithshka të kobshme. Duan të përfitojnë nga fakti, se gati të gjithë ata për të cilët flitet, nuk jetojnë më….
Ju deklaroni se ata vetëm aludojnë?
Nuk kanë mundësi për të thënë të vërtetën, prandaj këta "trima" na krenohen sot. Nga Parisi ky spiun paska 'ditur' gjithçka ndodhte në çdo vend; ky dhe vetëm ky, askush tjetër. Enveri dhe ky…..Mendje e sëmurë!
E mbështesni me ndonjë fakt?
Po, i jap një fakt, 'deziluzionues' për të. Nga viti 1959 deri ditën që ndërroi jetë në 1961-in, Mbretit Zog i ka gatuar e motra, princesha Sanije. Në sy të kuzhinierit 'urith' bëhej lojë...Në Spanjë prej 1962-it Mbreti Leka nuk ka pasur as kuzhinier Zenel Çamin, as bodigard Muharrem Gjokën. Këtë e vërteton spiuni, kur thotë se ata jetonin në Paris. Pra, ai përsëri gënjen, kur thotë se këta ishin afër Mbretit Leka dhe më jepnin informacion. Ky spiun paska bërë 'lojë' dhe ka mashtruar të gjithë agjentët e zbulimeve, CIA-n, Inteligjent Servisin,etj. Çudi se si nuk ka shembur gjithë perëndimin ky paranojak haluçinant. Le të qeshim....
Po fakti që ai deklaron, se mundi të merrte informacione nga UDB-ja, për të cilat, si në rastin e revoltës së Spaçit, ka paralajmëruar autoritetet më të larta të shtetit komunist?
Është skandaloze thënia, se revoltën e Spaçit e ka organizuar UDB-ja. Aty kanë qenë mijëra të burgosur që e dinë më mirë se kushdo, si nisi dhe përfundoi ajo revoltë. UDB-ja 'mund' të ketë qenë e pranishme në bllok, por për të mbrojtur kryekriminelin dhe bandën e tij. Ku kishte shqiptar që t'u shërbente më mirë interesave serbe, për mbajtjen nën pushtim të Kosovës, sesa banda e komunistëve.
Ju si Legalitet keni ngritur dikur akuzën, se njerëz të nxitur nga ambasada shqiptare në Paris kanë dashur të vjedhin trupin e mbretit Zog. I qëndroni këtij pretendimi?
Kam bindjen, se edhe zbulimet më të afta perëndimore nuk kanë mundur ta kuptojnë arsyen se pse dy 'studentë' shqiptarë, që më pas përfunduan në burgun politik të Spaçit, deshën të vjedhin trupin e Mbretit Zog, nga varreza e Thias në periferi të Parisit në 1975-ën. Edhe i vdekur i trembte ai këta 'trima'.
Po në lidhje me atentatet që deklaruat se ishin organizuar ndaj mbretit Leka, keni njerëz të identifikuar si në rastin e dy studentëve, për të cilët thoni se kanë dashur të shkatërrojnë varrin e Ahmet Zogut dhe paskan përfunduar më mbrapa në burg?
Po ata kriminelët që u ngarkuan me mision 'sekret' për të goditur Mbretin Leka në Madrid, që u kapën dhe iu dha një mësim i mirë, sapo mbërritën me tren në Biarritz e pastaj i kthyen nga kishin ardhur, kush i dërgoië
Zoti Luçi ka sqaruar, se ka pasur nga vetë radhët e emigrantëve, të cilët kanë qenë në gjak me mbretin, që kërkonin mbështetje që të bënin atentat ndaj tij. Cili është komenti juaj?
I qenkan lutur këtyre emigrantët për të goditur Mbretin, por këta si paskan lejuarë…. Pallavra! Ai që do të godasë apo ka 'hak' për të marrë, nuk merr leje dhe nuk pyet për njeri apo për pasojat… Vetëm kriminelët e tyre, (një pjesë e të cilëve vinte nga kontingjenti i shtëpive të fëmijëve, pra jetimoreve, që në rast vdekjeje nuk i kërkonte njeri), të shiturit te killerat me pagesë mund të përbënin rrezik, jo shqiptarët e ndershëm. Banda komuniste ka bërë lutje dhe kërkesa të vazhdueshme tek UDB-ja dhe KGB-ja, për të larguar Mbretin nga Spanja, sepse kërkonte bashkim kombëtar dhe ndryshime kufijsh..ë! Njëkohësisht është dora e KGB-së dhe UDB-së, në vrasjen e presidentit egjiptian Anvar Sadat, duke përdorur ekstremistët fetarë, të cilët ishin kundra marrëveshjeve që Sadati bëri me Izraelin. Rusët nuk mund të lejonin që Egjypti të shkëputej nga influenca e tyre.
Mendoni se ka lidhje vrasja e Sadatit me Tiranën komuniste?
Me vrasjen e Sadatit rusët 'ndihmuan' edhe bandën komuniste të Tiranës, sepse Sadati i pati krijuar të gjitha lehtësirat territoriale dhe portuale Mbretit Leka, për një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri. Nëse Mbreti Leka do kishte hequr dorë nga qëndrimi i vendosur në kërkim të Shqipërisë Etnike, me ndihmën e miqve amerikanë, britanikë, por edhe më gjerë, do ishte rikthyer në Shqipëri në '72-'74-ën ose maksimumi në 1982-in.
Çfarë mendoni për aktet që janë konsideruar terroriste, të cilat kanë rezultuar me bomba apo eksploziv në ambasadat shqiptare të asaj kohe në vendet e Europës?
Ka qenë tejet e ligjshme, por mbi gjithçka e moralshme, çdo lloj veprimtarie kundër regjimit kriminal komunist shqiptar. Nëse do të isha ndodhur në perëndim në atë kohë, të njëjtën gjë edhe unë do iu kisha bërë komunistëve. Ata nuk kanë lënë gjë pa bërë, kanë përdorur të gjitha metodat e terrorit kundër popullit shqiptar. Kanë merituar të njëjtën përgjigje. Njëkohësisht, nëpërmjet aksioneve, kërkohej të rikthehej vëmendja e qeverive perëndimore kundrejt Shqipërisë dhe veprimeve të bandës kriminale komuniste në pushtet. Është e njohur thënia e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Xhon Foster Dallas: Nëse do të flasësh me komunistët, vringëllo armët.
Te kjo thënie thua të jetë mbështetur mbreti Leka në veprimtarinë e tij aktive për të përmbysur komunizmin në Shqipëri?
Mbreti Leka ka ditur t'i flasë me gjuhën që kuptojnë më mirë kriminelët komunistë, se ata përveçse kriminelë me mendje perverse, ishin edhe frikacakë. Ndërsa Mbreti ka ditur ta dojë bukur Atdheun dhe Kombin e tij. Sakrifikoi gjithshka për këtë vend. Natyrisht, me çmim të lartë. Sepse shpesh i ra 'ndesh' të mëdhenjve. Ai kërkonte të rindërtonte ëndrrën shqiptare. Ky kollos kishte bërë një ndarje të qartë, mes interesit personal dhe misionit historik.
Mendoni se mënyra agresive e mbretit Leka ishte rruga më e drejtë për të përmbysur komunizmin dhe rikthimin e tij në pushtet?
Mbreti iu kundërvu me të gjitha mënyrat bandës kriminale të Tiranës. Ai e kishte 'luftën' me bandën kriminale dhe shërbëtorët e saj, për të mundësuar çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha kriminale komuniste. Më pas, populli me votë të zgjidhte se çfarë dëshironte. Mbreti u përpoq shumë t'i shpëtonte shqiptarët nga ferri komunist. Nga terrori, dhuna, varfëria ekonomike, e këta delirantë flasin për pushtet të popullit. Jo mor jo, pushtet i një bande kriminale, që me flamurin e ideologjisë komuniste masakroi, dhunoi, persekutoi dhe varfëroi për 45 vjet shqiptarët. Vranë njerëz, shkatërruan shpirtra, vranë ëndrra, shkatërruan familje, mbytën në gjak dhe lot gjithçka.
Dhe kush ishte qëllimi i Mbretit, përballë këtij realiteti që ju përmendët?
Përballë këtij makabriteti të dhimbshëm, Mbreti ëndërronte të kthente buzëqeshjen në fytyrën e shqiptarëve, se e kishin humbur atë. Të mundohej të fuste një rreze dielli atje ku mbretëronte errësira. Të thante lotët nga shpirtrat e përvuajtur, të dërgonte një lot në sytë e djajve, për t'i mësuar të qajnë...Të merrte kurajën për të luftuar dhe ta vendoste në shpirtrat e ndrydhur dhe frikësuar nga dhuna. Kryekrimineli vdiq, se ai dhe banda e tij meritonin fundin e Çausheskut, Sadamit, Gadafit apo ndonjë tjetër terroristi. Vërtet gjen shumë dhimbje dhe vuajtje kur përpiqesh të gërmosh në të shkuarën. Besoj se do nevojitej një Shekspir, për të përshkruar me art të pashoq, tragjedinë shqiptare të 45 vjetëve terrori komunist.
Zoti Basha. Ju keni qëllim të replikoni me Hasan Luçin, i cili ç'është e vërteta preku emra konkretë dhe foli për veprime konkrete dhe nuk u mor me retorika abstrakte apo me dëshira pasionante. Në lidhje me deklaratat e tij mbi ata që ai tregon se ka rekrutuar, ju thatë se nuk keni qenë dakord?
Në dëshmitë e tij të habit fakti se si ai që flet, përmend emra disa herë, të gjithë të vdekur, por nuk nxjerr dokumente, arrin deri aty sa të thotë "Më mirëkupto, nuk kam leje të flas…". Nga kush e pret lejen, nga ish- kryekrimineli, po ai ka ngordhur, pasuesit e tij po ashtu. Kurse unë jam lutur për shpirtrat e tyre mëkatarë. Ata duhet t'i kërkojnë falje njerëzve, për krimet monstruoze dhe mëkatet e kryera.
Le të futemi në një fakt më se konkret. Hasan Luçi preku konkretisht një moment të gjyqit të zhvilluar nga Geraldina, në lidhje me akuzat që i adresoheshin për grabitjen e Floririt të shtetit. Ju, mund ta komentoni atë dëshmi?
Komunistët shpifën pafund për gjithçka dhe çdo gjë. Ashtu siç shpifën për arin e shtetit, të cilin e përmendi dhe sigurimi, të cilin ju po më kujtoni, e vërteta e të cilit është sqaruar me dhjetëra herë, madje duke u vërtetuar sqarimi edhe me dukumente origjinale të marra posaçërisht nga arkivi i shtetit, si dhe banka kombëtare. Megjithatë, prapë komunistët kanë vazhduar me avazin e tyre të vjetër dhe tepër të rëndomtë, që në të vërtetë është për të ardhur keq. Pra, siç e shikon, ai, Hasan Luçi tregon për një gjyq të zhvilluar dhe gjoja të fituar nga këta.
Doja të dija, nëse është i vërtetë fakti që përmendim?
Fakti mund të jetë pjesërisht i vërtetë, por absolutisht nuk mund të thuash se ai gjyq humbi nga Mbretëresha Geraldinë, për faktin se ai nuk u zhvillua në kushte të barabarta, pasi e vërteta është se ai gjyq është zhvilluar me dokumente të falsifikuara dhe paraqitur në gjyq po nga këta. Familja Mbretërore në ekzil, nuk kishte ku t'i merrte dokumentet origjinale, se ato ndodheshin në Shqipëri. Çudi se si beson një komunist në drejtësinë 'kapitaliste' perëndimore. Po vendimin e Hagës për incidentin kanalit të Korfuzit, ku banda kriminale komuniste bashkë me serbët vuri minat, pse nuk e pranojnë, se edhe ai ishte vendim i një gjykate 'kapitaliste' perëndimore....
Po në lidhje me intervistën e tij mbi bandën e Xhevdet Mustafës, mund të dimë mendimin tuaj?
Loja e ndyrë që u luajt me Xhevdet Mustafën, nëpërmjet minjve të gjirizeve si Halit Bajrami, nuk tregohet me vërtetësi.
Dua të di, ku nuk ka qenë i saktë?
Ai ka thënë, se Xhevdet Mustafa ka qenë në burg në SHBA për drogë dhe nuk kanë kurajën, të paktën tani pas 33 vjetësh që Sigurimi i futi drogën në makinën e tij në New Jork, dhe pastaj u lajmërua FBI-ja për ta arrestuar. Këta pastaj, përfituan nga kurajoja e tij, për të krijuar kombinacionet e ndyra në eliminimet dhe luftën e brendëshme ndërmjet klaneve, të bandës komuniste për pushtet...
Nuk e di nëse keni informacion të plotë për veprimtarinë komplekse të Legalitetit në mërgim, nëse këta njerëz të Sigurimit kanë qenë të rrezikuar me jetë?
Në fund dua të them se, Hasan Luçi, Isuf Mullaj (ka ndërruar jetë) dhe Nasho Jorgaqi,- nëse janë gjallë akoma,- sot duhet të falënderojnë Mbretin Leka I, që nuk lejoi patriotët shqiptarë të ardhur nga perëndimi të hakmerreshin në '97-ën. "Jo,- i tha,- se edhe ata janë shqiptarë. Sot kohët kanë ndryshuar, nuk jemi ma në luftë. Sot ka fillu të veprojë demokracia, me probleme, por po ecën. Nuk ka nevojë me derdh gjak shqiptari. Kush ka ba krime le të shkojë në gjyq. Zoti Jorgaqi asht nji shkrimtar dhe nuk ka asnji faj. Ata të tjerët kan ba edhe shërbime…". Ky dimension moral i pakrahasueshëm, i shqetëson urithët, minjtë e llagëmeve dhe kulisave ogurzeza.
Pse, çfarë i shqetëson ata sot?
I shqetëson mënyra madhështore si e përcollën shqiptarët Mbretin e tyre, edhe pse jo në pushtet, ndoshta jo i njohur plotësisht, në raport me atë që ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo janë, në trojet etnike. Ndryshe nga pasardhësi i kryekriminelit, pra nga Ramiz Alia, që u përcoll në atë botë, gati në heshtje përçmuese. Edhe në ceremoninë përcjellëse për në botën e përtejme, Mbreti i mundi ata. Bashkatdhetarët e nderuan Mbretin Leka I, luftën dhe veprimtarinë e tij thellësisht patriotike në shërbim të Atdheut dhe Kombit.
Çfarë ke ndonjë merak të përmendësh tjetër në këtë intervistë, pavarësisht se është më shumë një replikë me intervistuesin e eksponentit të sigurimit të shtetit komunist në radhët e legalitetit në mërgim?
Gjej rastin për t'i kërkuar Kryetarit të Shtetit Shqiptar, por dhe gjithë institucioneve dhe autoriteteve shtetërore, që në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, të nderojnë veprimtarinë patriotike të Mbretit Leka I, duke i dhënë dekoratën "Nderi Kombit". Në të njëjtën kohë, të dekorohen të gjithë luftëtarët patriotë antikomunistë si: Skënder Zogu, Hyll Spahija, Nezir Spahija(pas vdekjes), Qazim Gjanaj, Hysen Selmani(pas vdekjes), Petrit Kupi(pas vdekjes), Shehat Shehu, Fuat Myftija(pas vdekjes), Abedin dhe Hysen Mulosmani(pas vdekjes), Halil Nerguti(pas vdekjes), Xhevahir Shuaipi, Agim Sula(pas vdekjes), Hysen Prishtina(pas vdekjes), Ramadan Tota dhe gjithë luftëtarët antikomunistë(për arsye vendi nuk po i përmend të gjithë)apo edhe anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Me sa di, tashmë është dhënë dhe njoftimi zyrtar mbi angazhimin e qeverisë tonë që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, të sjellë në atdhe edhe eshtrat e Ahmet Zogut?
Është shumë e vërtetë. Në këtë prag 100-vjetori të Pavarësisë, komunistët shqetësohen nga rikthimi në Atdhe i eshtrave të kryerilindasit shqiptar, Mbretit Zog I. Zbulimi, evidentimi dhe dhënia e vendit të merituar në Panteonin shqiptar, për gjithë veprimtarinë e tij nga rinia e deri sa mbylli sytë më 9 prill 1961, në Paris, në shërbim të Atdheut dhe Kombit, i 'verbon' ata. Historia e shkruar nga intelektualët historianë, me integritet moral dhe profesional, larg ngjyrimeve dhe presioneve apo interesave të politikës, po krijon mundësinë që të shpaloset me gjithë shkëlqimin e saj vepra e Mbretit Zog I.
Faleminderit Zoti Basha dhe u takofshim në të tjera prononcime tuajat, që kanë të bëjnë jo vetëm për Legalitetin, por për gjithë çështjen tonë të shenjtë kombëtare.
Faleminderit dhe juve, që më dhatë këtë mundësi, për të qartësuar disa të vërteta të domosdoshme në lidhje me heronjtë tanë të Lirisë Kombëtare.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›