E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon të shkrijë dëbora, rriten prurjet në kaskadë

Prurjet e Drinit arrijnë në 320m3/sekondë. Niveli në fierzë rritet 2 metra.

Prurjet në kaskadën e Drinit janë rritur gjatë këtyre ditëve, falë rritjes së temperaturave dhe shkrirjes së borës. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bën me dije se është vënë re një rritje e prurjeve në liqenin e hidrocentralit të Fierzës, prurje të cilat nga mesatarja 80 m3/s që ishin vetëm një javë më parë, tashmë kanë arritur 320 m3/s. Sipas të dhënave të KESH, Fierza aktualisht ka një nivel 257.17 metra, nga 255 metra që ishte pak ditë më parë. Në hidrocentralin e dytë të kaskadës, Komanin, niveli i ujit është 169.94 metra dhe prurjet anësore janë 80 m3/s, kurse në Vaun e Dejës nuk ka prurje anësore dhe niveli i liqenit të këtij hidrocentrali është 72.11 metra. Përkundër përmirësimit të situatës në kaskadë, sërish KESH është i detyruar që të prodhojë në mënyrë të kufizuar dhe të kujdesshme për të mbajtur rezervën e nevojshme për çdo rast, ndërkohë që vazhdon plotësimin e nevojave të vendit për energji përmes importit. Sipas shifrave, aktualisht KESH prodhon 10 milionë kwh në ditë dhe 12 milionë kwh importojnë së bashku Korporata dhe CEZ Shpërndarje. Në ditët në vijim pritet që situata të vazhdojë të përmirësohet në kaskadë, meqenëse kushtet meteorologjike paraqiten në favor të saj. KESH arriti të merrte pak kohë më parë 20 milionë dollarë nga fondi i kontigjencave nga buxheti i shtetit për të importuar energji, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë mes saj dhe qeverisë u nënshkrua një marrëveshje, që i jepte KESH një hua 20 milionë dollarë me interes 0.5 për qind. Gjatë këtij viti, kushtet financiare të KESH nuk janë paraqitur aspak të mira, për shkak të shpenzimeve të larta që janë dashur të bëhen për të siguruar importin në një vit kur prodhimi ka qenë i kufizuar, për shkak të kushteve aspak të favorshme hidrologjike.

Kufizimet
Defekti i ndodhur në linjën 35 kilovolt Shkozë-Shijak ka lënë dje pa drita disa zona në vend, kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit. Në një njoftim për shtyp, CEZ Shpërndarje bën me dije se pa drita për shkak të defektit ishin Sukthi, Maminasi, Gjiri i Lalzit, Gërdeci, Gjoka, Fushë-Preza.

Kaskada e Drinit
Fierza

Niveli                 257.17 metra
Prurjet                 320 m3/s

Komani
Niveli                 169.94 metra
Prurjet anësore          80 m3/s

Vau i Dejës
Niveli                 72.11 metra
Prurjet anësore          Nuk ka

NERTILA MAHO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›