Sabri Godos i ofruan tri herë postin e Presidentit, por e refuzoi

Sabri Godo
Flet Anila Godo, mjeke dhe politikane e njohur.
Letra e fundit për ministrin e Arsimit: Kujdes me tekstet e historisë së luftës, përcilluani të rinjve me dimension real.
E çmonte shumë Nanon, por jo për poste të larta
Plot 35 vjet iu deshën Sabri Godos të punonte me figurën e Ali Pashë Tepelenës për të nxjerrë një kryevepër të letërsisë, po kur i lau duart me Pashain e Janinës, e pa veten të lidhur keq me politikën. E megjithatë, ai mori më shumë nga Ali Pasha nga çfarë i dha Ali Pashait. I mori zgjuarsinë, mprehtësinë, pse jo, për disa edhe të qenit i rafinuar që në politikën shqiptare, nëse nuk e ke, nuk vlen. Dhe të gjitha këto i ngriti në një vlerë të tillë që Sabri Godo mori një epitet që askush nuk mund ta marrë më pas: plaku i urtë Sabri Godo. Ai 3 dhjetor i 2011-s do të kujtohet gjatë me ikjen e plakut nga kjo botë, ashtu siç jetoi e foli: pra një vdekje të urtë. Ashtu si mendimet e tij të ngadalta, por të pjekura, të forta dhe që nuk i dëgjoje nga dikush tjetër. Politika shqiptare kurrë nuk formësoi një politikan të dytë që për çdo çështje që të tjerët e bënin lëmsh, të adresohej për tu kthjelluar me atë çfarë mendonte ai. Ai ishte dhe mbeti deri në fund. Ne gazetarët e dimë që asnjë situatë nuk mund të kalonte pa vrapuar sa nga shtëpia e Godos, e sa nga zilja në celularin e tij. Ajo pardesyja gri në dimër dhe ajo këmisha borë e bardhë në verë, ishin imazhet e dy stinëve ekstreme që ne gazetarët e ndoqëm këmba-këmbës për ti rrëmbyer një mendim. Plaku Godo kurrë nuk u mërzit, kurrë nuk u ankua dhe kurrë nuk nxori nga goja një fjalë të keqe për ne djajtë e nevojshëm. Ai përherë ishte shoku dhe miku ynë që në ditë të mira dhe delikate dinte të nxirrte një shqerkë nga goja me fjalët tij. Dhe tani që Sabri Godo nuk është më, ne kemi filluar ta ndiejmë mungesën e tij. Ka filluar të na mungojë mendimi që kurrë nuk e kishim dëgjuar më parë. Ka filluar të na mungojë ajo elegancë e mendimit të tij. Na mungon edhe një telefonatë me të. Dhe mund të themi akoma se Sabri Godo na mungon dy herë: një herë ai që mori me vete një pjesë të Ali Pashë Tepelenës, dhe një herë si politikani që mori titullin patriark. Ajo që konstatojmë tani për tani mund ta pohojmë pa hezitim: askush nuk mund ta zëvendësojë SABRI PASHE GODON. Po çfarë mendojnë familjarët e tij, si e kujtojnë ata babain, gjyshin dhe njeriun e zemrës, cili është testamenti që u ka lënë, po brengat që mori me vete. Për këtë dhe të tjera, rrëfeu mbrëmë në emisionin Arena në TV Planet, e bija, mjekja dhe politikania e njohur, Anila Godo.
Si ka qenë jeta juaj nga 3 dhjetori 2011, ditën kur babai juaj, Sabri Godo, u nda nga jeta?
Ka qenë me një boshllëk të madh, me një mall të madh. Na mungon babai shumë, na mungon ajo gjë e mrekullueshme që ai transmetonte në familje. Ne pothuajse jetonim bashkë, pasi unë jetoja në kat të pestë dhe ata jetonin në katin e katërt, e pothuajse ishim çdo pasdite dhe mbrëmje bashkë. Shpesh, kur unë vonohesha pasdite, ai më merrte në telefon dhe me thoshte: Hë moj, ku je? A i ke gjallë prindërit, apo nuk i ke?. Çdo darkë ishim bashkë edhe me motrën time, që vinte çdo ditë nga Durrësi dhe në shtëpi kishte një dashuri pa fund, një mbështetje, prehje dhe paqe pa fund. Babai ishte boshti i kësaj marrëdhënieje të bukur që ne kemi në të tria familjet dhe që përpiqemi ta ruajmë, pavarësisht se boshti nuk është më. Ai e ka transmetuar këtë gjë prej shumë kohësh, mbase për tërë jetën, që ne duhet të jemi bashkë, në çdo ngjarje të mirë apo jo të mirë. E kujtojmë çdo ditë dhe sa herë më bie celulari, mendoj pa mendje se mund të jetë babi. Shpeshherë edhe kur kemi probleme, pa mendje mund të them se mund të pyesim babin; edhe nipërit e tij gjithashtu, pasi atë e kishim si kutinë e mendjes, që kur mbeteshim keq, babi ishte këshilltari më mirë. Me shumë qetësi ai edhe kur ishte ndonjë situatë shumë shqetësuese, me thoshte: Me ngadalë, bija ime, merre shtruar, fli njëherë, zgjohu në mëngjes, mendoje dhe një herë e do ta gjejmë një zgjidhje.
A mund të na tregoni cili ishte shkaku i sëmundjes së tij?

Anila Godo
Ai kishte disa probleme shëndetësore që sot quhen sëmundje moderne të kohës, si hipertension dhe një formë e lehtë e diabetit, për të cilat akuzohet duhanpirja. Babi ka qenë një duhanpirës që i ri. Jeta me stres, që atij nuk i mungonte, pasi ato profesione kishte. Por sëmundja që u bë shkak për humbjen e tij ishte një kancer pulmonar. Ajo u shfaq gjashtë muaj përpara humbjes së tij dhe ishte një diagnostikim që u bë në Spitalin Amerikan. Kjo sëmundje u zbulua rastësisht gjatë një chek up të përgjithshëm në lidhje me një vaskulopati për shkak të duhanit që pinte. Kishte filluar të ankohej që në xhiron e mëngjesit që bënte nga Liqeni i bllokoheshin këmbët pas një kilometri dhe e kuptonte se mund të kishte një mbyllje të enëve të gjakut të anësive, për të cilat ishte operuar edhe disa kohë më parë. Edhe pas një marrjeje mendsh të fortë, vendosi që të bënte një kontroll të përgjithshëm, dhe aty mbetëm pak të tronditur, pasi zbuluam se ishte një kancer pulmonar, që ishte simptomatik dhe për 2-3 muaj të tjerë mbeti i tillë. Duke qenë se ishin dy patologji për të cilat duhej të ndërhyhej, pra kanceri dhe vaskulopatia, për të cilën ai donte shumë të operohej, sepse donte të ishte mirë. Kur unë i thosha se kishte një problem pulmonar që ishte më i rëndësishëm se vaskulopatia, ai duke qeshur më thoshte: E di, e di që kërcënimet më vijnë nga shumë drejtime, por më bëni këmbët, se dua të ec. Ai kërkonte që atë jetë që kishte ta bënte në mënyrë cilësore dhe ngulte këmbë që të operohej. Duke qenë para një situate të tillë, që duhej të trajtohej një sëmundje shumë e rëndësishme si kanceri dhe në të njëjtën kohë duhej bërë një ndërhyrje në enët e gjakut, shkuam në Romë dhe aty u bë maksimumi i gjërave që mund të bëheshin. U ndërhy edhe me insistimin e tij për këtë vaskulopati, e cila doli me shumë sukses dhe të nesërmen pas operacionit u ngrit më këmbë. Nuk ndiente më dhimbje dhe tha: Tani të shikojmë edhe për atë problemin tjetër. Dalëngadalë ai filloi të kuptonte situatën, sepse ne shkuam në Itali pa i thënë për problemin e kancerit, pasi shqetësohesha se mbase thoshte që të mos iknim dhe të rrinim në Shqipëri. Sëmundjen ia thamë dalëngadalë dhe ai e priti me atë qetësinë e tij të jashtëzakonshme. Më kujtohet kur i tha mjekut të tij që e kuronte si me të qeshur: Doktor, edhe një trevjeçar jetë për të mbaruar punët që kam në mendje…. Pra kuptoi se kishte diçka të rëndësishme, por ndoshta mendoi se me kurim do të zgjaste dhe pak. Megjithatë, në Itali, kur unë dhe motra ime pyetëm, na thanë se ai kishte edhe gjashtë muaj jetë. Kur panë se ne mbetëm shumë keq, ata thanë se maksimumi mund të ishte deri në një vit.
Cilat ishin ndryshimet fizike që pati z. Godo dhe a u tërhoq ai pas kësaj?
Jo, nuk pati tërheqje. Ai donte të dilte, nuk donte të rrinte në shtëpi. Megjithatë, i ranë flokët, por pasi mori një kapele republike për dhuratë nga mbesa e tij, e vuri në kokë dhe tha se u bëra si teksian. Por çuditërisht donte të dilte edhe me një mungesë fuqie që i shkaktonte si sëmundja, si kimioterapia. Ai përsëri donte të pinte një kafe me shokët, edhe pse në ngjitje