Murati, më i votuari nga tifozët e Panserraikos

Edvin Murati është futbollisti i huaj më i preferuar te ekipi grek i kategorisë së dytë, Panserraikos, që ka në gjirin e tij plot tetë të huaj. Ky është rezultati i një anketimi on-line në forumin e tifozëve të këtij klubi, serresports.gr, që është ende i hapur. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka marrë 61.2 përqind të votave (52 nga 85 votat e dhëna) të një votimi që ka filluar qysh nga data 2 tetor 2006. I dyti në listë është kroati 23-vjecar mesfushorin Bozindar Tadic me 20 përqind të votave (17) dhe në të tretin është sulmuesi brazilain Emerson De Souza me 5.9 % të votave (5).
Numri 7 i Panserraikos, Edvin Murati ka shënuar 3 gola gjatë këtij sezoni duke qenë në krye të listës së goalshënuesëve të ekipit grek. Pas tij me 2 gola renditet Sakis Gogas (2) dhe Filipos Vasilidhis (1).
Murati është një nga lojtarët më të rendësishëm të klubit grek dhe aktivizimi i tij kundër Holandës në ndeshjen e 11 tetorit është pasqyruar me nota dashurie në faqen e klubit të tij. Edvinit i është kushtuar edhe një faqe e terë në lidhje me profilin e tij, për këdo që hap faqen zyrtare të Panserraikos.
Panserraikos do të përballet këtë të dielë në transfertë me Haidarin, ndërsa e pret një ndeshje e bukur në Kupën e Greqisë me PAOK, më 7 nëntor në Serres.
Emiljano Kociu