Muret e dashurisë
Grupi Ndërkombëtar për Mbikëqyrjen e Pavarësisë së Kosovës u takua më 2 korrik për të përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë. Me mbikëqyrësit që largohen Kosovës i mbetet të përkujdeset për të ardhmen e saj. Por edhe të ballafaqohet me të kaluarën.
Stuhitë historike u kanë dhënë formë marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. E për të shfaqur këtë marrëdhënie, është përgatitur filmi serik ‘Muret’, premiera e të cilit u dha të hënën mbrëma në Radio Televizionin e Kosovës.
“Muret” është film që përcjell fatin e dy të dashuruarve që përpiqen të marrin fatin në duart dhe zemrat e tyre. Lufta ka lenë prapa vragë të thella dhe e kaluara përplot dhimbje mëton të errësojë të tanishmen. Por të dashuruarit e gjejnë njeri tjetrin, gjejnë fuqi të shërojnë plagët dhe të shikojnë përpara.
Me rolet kryesore Marija Vickovic, Enver Petrovci, Dafina Zeqiri dhe Blerim Gjoci, filmi serik ‘Muret’ tregon se sa e fuqishme dhe e paparashikueshme është dashuria.
Ata janë në të 30-tat, aq të moshuar sa të kenë përjetuar tmerret e luftës, në moshën e tyre të pjekurisë, dy të dashuruarit tanë vazhdojnë përleshjet me misteret e së kaluarës. Dhe kur duket se ata kanë humbur gjithçka, ata e gjejnë njeri tjetrin.
Dashuria e tyre u jep force për të ecur me tutje.
Ekipi i producentëve Blerim Gjoci dhe AJ Rei-Perrine, korren fitore në Festivalin e Filmit ‘Sundance’, kur filmi i tyre “Kthimi” solli në Kosovë çmimin e madh të Sundance, që është hera e parë në rajon që një film fiton në këtë festival. Ky është projekti i parë i tyre i përbashkët, pas Sundance.
Ky projekt filloi si iniciativë e ambasadorit të SHBA-ve në Kosove, Christopher Dell, i cili dëshironte që përmes mediave të popullarizuara të inicioheshin ndryshimet.
Ngjarja ndodh në ditët e sotme në Kosovë, ndërsa është shkruar nga ata që e kanë përjetuar tërë rrëmujën.
“Muret” është real deri në dhimbje, i frikshëm nga mprehtësia dhe i fuqishëm, dramë me plot kuptimin e fjalës. Filmi serik shfaqet në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht.
Regjisor i këtij filmi serik është Ismet Sijarina, drejtor fotografie Sevdije
Kastrati, ndërsa në rolet kryesore luajnë Blerim Gjoci, Marija Vickovic, Enver
Petrovci, Dafina Zeqiri, Amernis Nokshiqi, Zoran Ristic, Njomza Ibraj Fetiu dhe Ivana Kovacevic.
Këtë dramë,e cila do të shfaqet çdo të henë në ora 20:00 në Radio Televizionin e Kosovës, e sjellin kompanitë Prishtina FILMS dhe TheGroup, përkrahur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.