E Shtunë, 31 Tetor 2026

Twitter regjistron rekord në finale të Evropianit

Rrjeti social Twitter ka njoftuar se më shumë se 15 mijë postime në sekondë janë regjistruar, kur Spanja e realizoi golin e katërt të dielën mbrëma në finale të Kampionatit Evropian, duke shënuar kështu një rekord të ri në ngjarjet sportive që lidhen me këtë rrjet social.

Vala e madhe e postimeve arriti vetëm disa javë para fillimit të Lojërave Olimpike të Londrës, ku pritet një tjetër ‘dallgë’ nga adhuruesit e sportit në rrjete të ndryshme sociale.

Twitter ka treguar se trafiku global në platformën e tij regjistroi më saktësisht 15,358 postime për sekondë, pas golit të katërt të shënuar në Kiev, ku Spanja e mposhti Italinë me rezultat 4:0.

Twitter po ashtu regjistroi një total prej 16,5 milionë postimesh gjatë kësaj ndeshjeje. Prej miliona postimeve u vërejt edhe ai i legjendës braziliane të futbollit, Pele. Ai e uroi Spanjën dhe tha se mezi pret fillimin e kampionatit botëror ‘Brazili 2014’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›