E Diel, 1 Nëntor 2026

Ganley, irlandezi misterioz që do një BE ndryshe

Kapeni Ganley-n! Kjo është fjala që qarkullon nga Dublini në Bruksel... Bëhet fjalë për Declan Ganley, biznesmenin milioner irlandez, që arriti të ideonte dhe çonte në faliment "jo"-në e famshme që i dhanë irlandezët me votën referendare Traktatit të Lisbonës. Sigurisht që pjesa më e madhe e estabilishmentit evropian do të donte që ta shihte Ganley-n të marrë fund, fushatën e tij të varrosur dhe vetë karrierën e tij politike që sapo ka hedhur hapat e para të mbyllur njëherë e mirë, para se ai të bënte ndonjë dëm tjetër. Por, në fakt, në të kundërt të dëshirës së zyrtarëve evropianë, biznesmeni milioner e njëherazi edhe misterioz, po mendon hapin e radhës. Ai ka ndërmend që ta shndërrojë think-tankun e tij me emrin Libertas në një parti politike. Për këtë qëllim, ka kohë që po zhvillon një turne nëpër Evropë në kërkim të mbështetjes për fushatën e tij. Me pak fjalë, Ganley kërkon që gjatë vitit të ardhshëm, në të cilin do të zhvillohen edhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, të zhvillojë një tjetër referendum në lidhje me atë që ai e konsideron: Evropa antidemokratike e Traktatit të Lisbonës. Sipas tij, ky traktat është thuajse i njëjtë me projektkushtetutën e BE-së që u hodh poshtë nga francezët dhe holandezët në votën referendare të vitit 2005. E ndërsa biznesmeni ka nisur realizimin e nismës së tij, Parlamenti Evropian i ka bërë të ditur autoriteteve irlandeze që të hetojnë në lidhje me financimin e kësaj lëvizjeje. Ka nga ata që mendojnë se miliarderi misterioz është një vegël e disa ushtarakëve amerikanë, qëllimi i të cilëve është një Evropë e përçarë dhe jo e bashkuar. Gjatë këtij shkrimi, është përdorur shpesh epiteti "misterioz" për Ganley-n. Në fakt, ai është një njeri shpeshherë mjaft i hapur me mediat dhe aspak i fshehtë, por epiteti "misterioz" ka të bëjë me natyrën e tij shumë ekzotike. Irlandezi për të cilin po flasim është si një personazh i dalë nga librat. Një irlandez që flet me një theks londinez, që jeton në një shtëpi të vjetër, që udhëton shpesh me helikopterin dhe "Mercedesin" e tij, që shkoi në Bashkimin Sovjetik dhe erdhi prej andej me miliona dollarë nga tregtia e dyllit dhe telekomunikacioni, ndërsa kapitalizmi po lulëzonte në gërmadhat e sistemit të vjetër. Ndër të tjera, ai ka marrë edhe një medalje shumë domethënëse nga shteti i Luizianës në SHBA. Është medalja për Shërbime të Shquara që i është dhënë për kontributin e tij në ndreqjen e pasojave të uraganit "Katrina", duke qenë, ndër të tjera, edhe shefi i një kompanie të specializuar në komunikacionet e emergjencës. Pas kësaj, ai lidhi një kontratë 200 milionë dollarëshë me ushtrinë amerikane. Të gjitha këto e bëjnë, për disa, një person të dyshimtë. Sipas personave që dyshojnë për pastërtinë e ideve të irlandezit, ai është një neokonservator i fshehtë, që përpiqet të sabotojë përpjekjet e një Evrope të bashkuar. Vetë Ganley i refuzon me të qeshur dyshime të tilla. "Janë llafe dhe vetëm llafe të personave që nuk mund të lejojnë që të ketë njerëz që nuk u shkojnë pas avazit, që të ketë njerëz që dinë t‘u thonë ‘jo‘ planeve të tyre, që mendojnë se, pas refuzimit që i bënë irlandezët Traktatit të Lisbonës, fshihen komplote e konspiracione amerikane që na paskan bërë lavash trurit", thotë biznesmeni, i cili kërkon që Bashkimi Evropian të jetë një organizatë e begatë, e respektuar dhe me reputacion në botë dhe jo një organizatë e centralizuar dhe e mbyllur me mungesë të theksuar transparence. Dhe kjo, sipas irlandezit, mund të ndodhë vetëm nëse në zemër, në thelb të organizatës, do të ketë një demokraci të vërtetë. Pikëpamjet e Ganley-t janë kurioze. Ai gjithmonë e konsideron veten si një person në favor të Bashkimit Evropian, por thotë se dëshiron një tjetër Bashkim Evropian, një organizatë me një president të zgjedhur. Kjo do të thotë që komisionerët evropianë, që caktohen dhe nuk zgjidhen, do të japin llogari para një presidenti të dalë nga zgjedhjet. Vetë Ganley e ka të qartë vizionin për një Bashkim Evropian ndryshe, por si do të shkojë fushata e tij e re? Këtë do ta shohim shumë shpejt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›