Një yll gjeorgjian në televizionin e Putinit
"Mendoj se Komuniteti Evropian do të na ndihmojë. Askush nuk e di se kur marrëdhëniet midis Gjeorgjisë, që është atdheu im, dhe Rusisë, që gjithashtu është atdheu im, do të rregullohen. Për momentin, të jetosh në Gjeorgji, është e rrezikshme për miqtë e mi, për të afërmit, për shumë njerëz të tjerë. E di që duhet të sillem me kujdes. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të qëndroj e heshtur". Në Rusi, aktualisht jetojnë më shumë se një milion gjeorgjianë. Njëra prej tyre është edhe Tina Kandelaki, 33 vjeçe. Ajo është një nga prezantueset më të bukura dhe më të famshme të televizionit rus dhe drejtuese e disa prej programeve më të ndjekura në vend në kanalin STS. Tina erdhi në Moskë rreth dhjetë vjet më parë dhe menjëherë u bë e suksesshme. Pothuajse çdo ditë, në transmetimet e saj, brunia joshëse thotë pa asnjë lloj frike: "Jam 100 për qind gjeorgjiane, flas shumë për kombin dhe kulturën tonë". Ndoshta, sepse thellë në vetvete, është e bindur se rusët nuk i urrejnë gjeorgjianët, madje as pas luftës që shpërtheu në gusht të këtij viti në Osetinë Jugore. Përkundrazi, ajo citon shpesh një libër të shkruar nga Andrej Bitov dhe Rezo Gabriadze, autorët që kanë trajtuar hollësisht një temë me titullin "Cilët janë gjeorgjianët". Rusi Bitov, tregon Tina, thotë diçka gjeniale: "Gjithmonë i kemi parë gjeorgjianët dhe e kemi kuptuar se janë pak më të bukur, pak më bujarë dhe pak më të qeshur se ne. Domethënë, po t‘i shohësh mirë, duken pak më të mirë se rusët. Na ngjajnë, por nuk do të bëhen kurrë rusë të vërtetë. Bitov e tregon shumë mirë se çfarë raporti ka mes nesh. Sepse vetëm rusët mund të flasin me këto terma për gjeorgjianët". Shumë herë, në emisionet e saj, ku ka përballë njerëz të famshëm të politikës, artistë, intelektualë, i ka ndodhur të shpjegojë se konflikti mes Rusisë dhe Gjeorgjisë mund të quhet ndryshe konflikti mes Rusisë dhe SHBA-së, i cili ka nisur më parë se 8 gushti. "Në këtë rast, vendi im u bë një monedhë shkëmbimi". Këtë e përsërit shpesh në studiot e televizionit STS kur e pyesin. "Lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë nuk ekziston. Ekziston vetëm një mutacion në planin global, i shkaktuar nga kundërvënia midis Rusisë dhe Amerikës. Gjeorgjia u gjend rastësisht në këtë mes dhe pësoi edhe humbjet më të mëdha, si njerëzore ashtu edhe ekonomike". Tina e ndjen veten si "partizania" e të gjithë atyre gjeorgjianëve që nuk mund të flasin dot. Nëse do të kishin mundësinë të shprehnin opinionin e tyre lirisht, "raportet me rusët do të ishin të ndryshe". Mund të thoshin edhe se Gjeorgjia nuk është vendi që do Presidentin Sakashvili. "Rusët kanë një proverb shumë të bukur, të cilin unë mund ta përdor për të përshkruar Sakashvilin; provën e parasë dhe të pushtetit nuk e kalojnë dot të gjithë. Ajo e pushtetit është një nga më të vështirat. Mendoj se për Sakashvilin, pushteti ishte një detyrë që nuk mund ta përballonte dot dhe e tregoi shumë mirë që në këtë anë nuk mund të japë rezultate pozitive. Për ne gjeorgjianët, si President, nuk ka qenë ai që kërkonim". Por, gjykimi personal i Tinës mbi Presidentin vendit nuk u mirëprit në Tbilisi. E kanë quajtur tradhtare, një grua që "flirton" me Kremlinin. Kur dëgjon këto fjalë, Tina nxihet në fytyrë. Një vit më parë, gjeorgjianët i kishin ofruar drejtimin e kanalit "Tv Rusavi 2", që mbronte politikën e regjimit. Por, ajo refuzoi, sepse "është shumë vështirë për mua të jem kaq afër pushtetit". Por, a nuk është e njëjta gjë këtu në Moskë? "Le të themi se fati im nuk varet drejtpërdrejt nga Presidenti i Federatës Ruse, ndërsa atje fati im do të varej drejtpërdrejt nga Sakashvili". Ndoshta i thotë këto për të mbrojtur karrierën? "Flas në këtë mënyrë, sepse jam e shqetësuar për gjeorgjianët që jetojnë këto. Shpesh më paragjykojnë se bëj këto gjëra. Ksenofobia është një rrezik real. Në blogun tim, dikush ka shkruar: Zhduku, ç‘bën këtu, ti je gjeorgjiane? Sot, në Gjeorgji, zbatohet vetëm një doktrinë nëpër të gjitha kanalet televizive. Por, për fat, interneti nuk është censuruar akoma dhe në rrjet mund të gjenden opinione të ndryshme". Pikërisht ato që ajo mund t‘i shprehë qetësisht. "Mund të flas hapur, sepse të afërmit e mi jetojnë të gjithë në Rusi, ndërsa ata që i kanë ende në Gjeorgji kanë frikë të flasin". Duket qartë që gjithë inatin e ka me Sakashvilin. "Ai e çoi vendin në këtë gjendje. Me të në krye, ishte e vështirë të negocioje", tregon ajo. Tina Kandelaki, 33 vjeçe, që flet shpejt, me zë të lartë dhe me shumë zemërim ka pasur një histori personale me Presidentin gjeorgjian. E lindur në Tbilisi, ajo u bë e njohur në vendin e saj të lindjes, Gjeorgji, para se të lëvizte drejt Moskës dhjetë vjet më parë. Ajo tregon se tre vjet më parë, në një vizitë në Tbilisi, Sakashvili i kërkoi të kthehej dhe të drejtonte kanalin "Georgian TV". "Deri këtu, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi më pëlqeu që më vlerësonte. Por, më duhet të them se e gjithë karriera e tij është e bazuar në suksesin personal. Dikur më pati thënë se donte të hynte në histori njëlloj si ‘David ndërtuesi‘, një mbet gjeorgjian i Mesjetës. Por ai nuk është ‘David ndërtuesi‘, por ‘Mikail shkatërruesi‘". Ajo vazhdimisht e akuzon atë se po e qeveris Gjeorgjinë si një autokrat, që pengon lirinë e shtypit dhe nxit urrejtjen kundër Rusisë. "24 orë në ditë, televizionet e tij bëjnë propagandë se sa të këqij janë rusët. Çdo gjë në vend kontrollohet nga Sakashvili, si biznesi ashtu edhe media. Nuk ka liri në asnjë aspekt".
Jeta
Tina Kandelaki lindi më 10 nëntor 1975, në Gjeorgji. Ka qenë pjesë e edicionit rus të revistës "Playboy" dhe asaj FHM. Ajo është prezantuese e televizionit rus STS. Po ashtu, administron një kompani të suksesshme produksioni. Kandelaki studioi në shkollën mjekësore në Tbilisi, për një vit, por i ndërpreu studimet për t‘u marrë me televizion. Në këtë kohë ajo punoi për televizionin shtetëror gjeorgjian dhe në radio. Në vitin 1995, u zhvendos në Moskë, ku punoi për "M-Radio", "RDV", "Silver Rain Radio" dhe për televizionet më të njohura në vend, ku drejtonte programet më të ndjekura.
Jeta
Tina Kandelaki lindi më 10 nëntor 1975, në Gjeorgji. Ka qenë pjesë e edicionit rus të revistës "Playboy" dhe asaj FHM. Ajo është prezantuese e televizionit rus STS. Po ashtu, administron një kompani të suksesshme produksioni. Kandelaki studioi në shkollën mjekësore në Tbilisi, për një vit, por i ndërpreu studimet për t‘u marrë me televizion. Në këtë kohë ajo punoi për televizionin shtetëror gjeorgjian dhe në radio. Në vitin 1995, u zhvendos në Moskë, ku punoi për "M-Radio", "RDV", "Silver Rain Radio" dhe për televizionet më të njohura në vend, ku drejtonte programet më të ndjekura.