E Shtunë, 31 Tetor 2026

TE GJITHE TERRORISTET JANE DARVINISTE

Njeriu i cili dëshiron të shpëtojë botën njihet me emrin Harun Yahya dhe i ngjan ndonjë aktori nga koha e filmave pa zë. Ai mban një kostum nga mëndafshi i bardhë, butona të arta mansheti dhe ka një mjekër të rregulluar me shumë kujdes. "Për 20 vjet, thotë ai me një zë serioz, njerëzimi do të hyjë në një epokë të artë". Adnan Oktar (i njohur si Harun Yahya) është njëri nga ithtarët kryesorë të kreacionizmit në Turqi dhe beson se teoria e evolucionit e Darvinit është punë dreqi. Në një intervistë për "Spiegel", ai shpjegon se si planifikon të mposhtë darvinizmin. Pothuajse çdo biolog i respektuar në botë e konsideron teorinë e evolucionit si ndoshta teorinë shkencore më të vërtetuar ndonjëherë, së bashku me njohurinë se bota është e rrumbullakët. Si do ta vërtetoni se këta e kanë gabim?

Adnan Oktar: Së pari, ka 100 milionë fosile, të cilat e vërtetojnë krijimin. Dhe, këto kurrë nuk kanë ndryshuar në asnjë aspekt. Për shembull, peshqit gjithmonë kanë qenë peshq, karkalecat gjithnjë kanë qenë karkaleca dhe gaforret kanë qenë gaforre. Fosilet e tyre mund të shihen në çdo kënd të botës. Ne i kemi shfaqur ato edhe në Turqi dhe njerëzit i kanë parë me sytë e tyre. E para dhe më kryesorja, kjo është një dëshmi e qartë. E dyta, në kontrast me krijimin, darvinizmi nuk ka asnjë dëshmi të vetme, e cila demonstron teorinë e evolucionit. Ithtarët e saj nuk kanë kurrfarë dëshmie nga fosilet, të cilën do të ishin në gjendje ta tregojnë.

Vitin e kaluar, Këshilli i Evropës madje kërkoi nga shtetet anëtare të saj të mos lejojnë mësimin e kreacionizmit së bashku me teorinë e evolucionit në shkolla. A e konsideroni këtë gjë si disfatë?

Darvinizmi është nën mbrojtje zyrtare në të gjithë botën. Asnjë ideologji në histori, asnjë ide tjetër, kurrë nuk është mbajtur nën mbrojtje kaq të rreptë zyrtare. Të bësh çfarëdo deklarate që kritikon darvinizmin shkakton një reagim zyrtar. Sidoqoftë, pavlefshmëria e darvinizmit dhe aktualiteti i kreacionizmit janë fakte shkencore. Kushdo që shikon ose shfleton "Atlasin e krijimit" tim do të arrijë te ky mendim. Darvinizmi gënjen për shumë gjëra dhe mashtron njerëzimin. Ata kanë mashtruar tërë njerëzimin për 150 vjet.

Sa keni qenë të ndikuar nga lëvizjet e krishtera, të ashtuquajturat lëvizje të disenjit inteligjent në Evropë dhe SHBA?

Mua, të them të drejtën, më duket i pandershëm koncepti i disenjit inteligjent. Ne duhet haptazi të përkrahim ekzistencën e Allahut, sinqerisht të përkrahim religjionin, islamin. Apo, nëse jeni të krishterë, duheni sinqerisht të përkrahni krishterimin. Kjo është një teori, e cila thotë se gjërat disi janë krijuar, por nuk dihet se kush i ka krijuar. Në fakt, kjo më duket e pandershme, të them të drejtën. Pasuesit e disenjit inteligjent duhen të deklarojnë haptazi dhe qartazi ekzistencën e Allahut si krijues.

Richard Dawkins, një nga figurat më të spikatura të ateizmit të ri, tani vonë librin e tij, "Gënjeshtra e Zotit", e ka të përkthyer në gjuhën turke. Thuhet se në Turqi janë shitur 15000 kopje. Në këtë vepër ai shkruan se religjioni është një nga shkaqet e terrorizmit.

Darvinizmi ka shtruar rrugën për fashizmin e Hitlerit e Musolinit dhe për komunizmin e Stalinit. Dhe, kur shikojmë në ditët e sotme, ne shohim që të gjithë anëtarët e organizatave terroriste, edhe atyre që e portretizojnë veten si organizata myslimane, janë darvinistë, ateistë. Le të themi që një person besimtar, i cili lutet rregullisht, nuk shkon e vendos bomba andej-këndej. Thjesht ata janë njerëz që shtiren si myslimanë, të cilët e përshkruajnë vetën si myslimanë, që kryejnë vrasje, apo darvinistë të cilët e bëjnë të qartë që janë terroristë, apo komunistë, të cilët kryejnë vepra terrorizmi. Përfundimisht, të gjithë këta janë darvinistë.

A mendoni me të vërtetë që dikush si Osama bin Laden, i cili i justifikon aktet terroriste duke përdorur Kuranin dhe, sipas tij, pafeshmërinë e Perëndimit, po përcjell idetë darviniste?

Gjërat nuk janë ashtu siç duken. Ju nuk e shihni këtë dukje dhe këtë stil te njerëzit e tillë kur ata janë të rinj. Mirëpo, kur feja e tyre shihet me vëmendje, del që ata janë materialistë dhe darvinistë të vërtetë. Është e pamundur për një njeri, i cili i frikësohet Allahut, të kryejë vepra terroriste, për shkak të fesë së tij. Vepra të tilla kryhen nga njerëz që janë edukuar jashtë, që kanë pasur edukim darvinist dhe të cilët brenda pranuan darvinizmin, por që më vonë e quajtën veten myslimanë. Kur vështrohen me kujdes, kur fjalimet dhe shkrimet e tyre analizohen me kujdes, ne shohim që ata njerëz janë darvinistë.

Kur jemi te Hitleri dhe fashizmi: Në faqen tuaj të internetit, ju e dënoni Holokaustin dhe e lidhni me darvinizmin. Por në fillim të viteve ‘90, ju publikuat një libër për të ashtuquajturën "Gënjeshtra e Holokaustit".

Libri "Gënjeshtra e Holokaustit" është shkruar nga një prej miqve të mi, Nuri Özbudak, nuk është një nga veprat e mia. Ai publikoi shkrimet e veta nën këtë titull. Më vonë, ne protestuam kundër kësaj nëpërmes noterit publik dhe ia deklaruam faktin publikut. Unë nuk ndërmora ndonjë tjetër aksion legal, por vetëm protestova përmes noterit publik, sepse ai përdori emrin tim. Libri im, i cili shprehte idetë e mia, u publikua më vonë.

Vitin e ardhshëm, një pjesë e botës do të festojë 200-vjetorin e lindjes së Darvinit dhe 150-vjetorin e publikimit të parë të librit "Mbi origjinën e llojeve". A do të festoni edhe ju, gjithashtu?

Në fakt, do të dalë se e tërë kjo do të jetë festim i shembjes së darvinizmit. Njerëzit do të tronditen kur t‘iu kujtohet se si kanë besuar në darvinizëm. Ata do të mahniten me faktin se si janë mashtruar me vite. Gjithashtu do të çuditen me veten se si qindra, mijëra universitete përreth botës dhe qindra, mijëra profesorë kanë përkrahur një mashtrim të tillë dhe se si janë mashtruar nga ky komplot i satanit.

Një nga librat tuaj quhet "Atlasi i krijimit", një vëllim masiv dhe qartazi shumë i shtrenjtë. Është shpërndarë në të gjithë botën dhe shumë kopje falas u janë dërguar mediave perëndimore. Si e financoni luftën tuaj kundër darvinizmit?

Shtëpia botuese ka profit të madh, ngase unë nuk marr kurrfarë privilegjesh nga shitja e librave. Dhe, veprat e mia po shiten në numra të shumtë brenda dhe jashtë Turqisë. Vitin e kaluar, në Turqi u shitën 8 milionë kopje dhe 2 milionë jashtë vendit. Këtë vit, numri është edhe më i lartë, shumë herë më i lartë. Shitjet janë dyfishuar. Kjo numërohet si publicitet. Sidoqoftë, burimet financiare për këtë, ashtu siç kam thënë, ofrohen nga shtëpia botuese.

Në maj, nga një gjykatë turke ju u dënuat për krijimin e një organizate ilegale, për përfitime personale.

Po, ka pasur një akuzë se gjoja kam krijuar një organizatë kriminele. Unë u akuzova se isha udhëheqësi i bandës. Më kanë dhënë një dënim me tri vjet burgim. Kjo duhet të miratohet nga Gjykata Supreme e Apeleve. Nëse Gjykata Supreme e Apeleve e miraton këtë vendim, mua do të më jepen tri vjet burg. Sidoqoftë, nuk ka dëshmi legale në kuptimin që unë e shoh të jetë i pranueshëm. Ngase dëshmia ime ishte marrë pa prezencën e avokatit tim, duhej të ishte e pavlefshme. Dëshmia ime, të cilën isha i detyruar ta jap nën shtrëngim, me forcë, është pranuar si e vlefshme edhe në Gjykatën Supreme të Apeleve, dhe gjithashtu në gjyq. Si rrjedhim i kësaj, mua m‘u dha dënimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›