E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo, 76 milionë euro për merkaton

Në pritje të emërimit zyrtar të Hoze Murinjos, drejtuesit e Interit po punojnë për të blerë yjet që tekniku pretendon të ketë në skuadër. Burime të klubit zikaltër sqaronin se vonesa në prezantimin e portugezit lidhet me disa probleme "formale" me ish-trajnerin Roberto Mançini. Çështja qëndron se Mançini pretendon 20 milionë euro për prishjen e kontratës (sipas të cilës në katër vitet e ardhshme do përfitonte 24 milionë euro), ndërsa Morati i ka ofruar vetëm 9 milionë. Numri 1 shpreson të shpenzojë sa më pak që të jetë e mundur për "divorcin" me trajnerin më të suksesshëm të klubit (tre tituj dhe katër kupa të fituara). Por, nga ana tjetër, presidenti i kampionëve të Italisë duket se nuk ka ndërmend ta "shtrëngojë dorën" për Murinjon. Interi ka përgatitur ofertën prej 35 milionë sterlinash (diçka më shumë se 44 milionë euro) për t‘i rrëmbyer Çelsit tre lojtarë: Frenk Lampard, Didier Drogba dhe Rikardo Karvajo. Ndërkohë, në total çeku që Morati duhet të firmosë për të gjithë emrat që Murinjo dëshiron në ekip kap vlerën e 60 milionë sterlinave, e përkthyer ndryshe 76 milionë euro.

Lajmin e publikoi tabloidi britanik, "The Sun", që fliste për një dosje të cilën trajneri ia ka dorëzuar Moratit, ku ishin përshkruar detajet e kontratave të lojtarëve në fjalë dhe ofertat që duhet të bëjë klubi italian, (duke pasur parasysh edhe moshën e futbollistëve) pasi vitin e ardhshëm tre yjet e Çelsit do të prekin të 30-at. Sipas vlerësimeve të Interit, çmimet e duhura janë 27 milionë euro (21,5 milionë sterlina) për Drogba, afro 9 milionë euro (7 milionë sterlina) për Karvajon dhe 8,2 milionë euro (6,5 milionë sterlina) për Lampard. Çmimi i këtij të fundit është relativisht i ulët, pasi mesfushori ka vetëm një vit kontratë me Çelsin dhe mund të vendosë të largohet nga klubi falë klauzolës së FIFA-s. Kjo është arsyeja përse Roman Abramoviç është i gatshëm t‘i ofrojë Lampard pothuajse 190 mijë euro rrogë javore për ta mbajtur në "Stemford Brixh".

Në këtë pikë të çështjes "Lampard", nënkampionët e Anglisë kanë vetëm dy mundësi veprimi: të dorëzohen dhe të formulojnë një kontratë sipas kushteve të pretenduara nga lojtari (bisedimet kanë filluar përpara një viti), ose ta shesin për 7 milionë euro, duke evituar që ta humbasin nëpërmjet klauzolës së FIFA-s. Hipoteza e parë, pra kontrata sipas kushteve të Lampard, duket se është shumë e rrezikshme. Ajo mund të shkaktonte pakënaqësi te Xhon Terri, që si kapiten i skuadrës pretendon të jetë edhe lojtari më i paguar i Çelsit, ndërkohë që edhe shumë yje të tjerë të ekipit mund të shkaktonin probleme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›