Samuel Eto‘o "blerja" e parë: Gjeta akordin me Interin
Merkato e Interit është e përhapur edhe në Spanjë: Samuel Eto‘o, Deko dhe Xhovani janë mes objektivave të skuadrës italiane. Masimo Morati ka zhvilluar një turne takimesh, ku mes të tjerave ishte edhe në Katalonjë. Aty numri 1 i zikaltërve darkoi me presidentin e Barcelonës, Laporta, të cilit i kërkoi Eto‘o e Deko. Përgjigjja ishte e thjeshtë: paguani 45 milionë euro dhe janë lojtarët tuaj. Ndërkohë, mësohet se sulmuesi kamerunas i rrëfeu njerëzve të tij të besuar se "ka gjetur marrëveshjen me Interin". Nga ana tjetër, interesimi për Xhovani dos Santos ngjasonte vetëm me një testim të terrenit. Ende nuk dihet nëse realizimi i marrëveshjeve me Barçën mund të ndikojë në synimin për të afruar Lampard, Drogba dhe Karvajo. E vetmja gjë e sigurt është se nëse marrin Eto‘o dhe Deko, zikaltërit janë të gatshëm të tërhiqen nga gara për Aleksandër Hleb. Bjellorusi konfirmon se dëshiron të largohet nga Arsenali dhe se tashmë ka arritur marrëveshjen me katalanët.