E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, edhe Bushati për stolin

Pasi ka marrë mandatin 1-vjeçar si president i Tiranës, Refik Halili, ka filluar punën për drejtuesin e ri të stolit. Mes alternativave për trajnerin e sezonit 2008/‘09 është futur edhe emri i trajnerit të Shpresave, Artan Bushati. Pas aventurës së suksesshme tek Elbasani, shkodrani është konfirmuar si një prej teknikëve elitarë në vend edhe në krye të përfaqësueses Under-21. Megjithatë, burime pranë klubit bardheblu pohojnë se në adresë të Bushatit ende nuk është bërë asnjë ofertë zyrtare apo ndonjë kontakt për fillimin e bisedave. "Trajneri Bushati figuron në listën e alternativave për stolin, por vetëm kaq, pasi kontaktet nuk kanë filluar", pohoi burimi. Në teori, bardheblutë e kanë trajnerin: Sulejman Memën. Megjithatë, tekniku që nuk arriti të ndryshonte fatin e sezonit të dështuar të 23 herë kampionëve ende nuk është konfirmuar. Kjo ka bërë që spekulimet rreth drejtuesit të ri të skuadrës të mos mungojnë. Presidenti Halili së bashku me sekretarin Eduard Gjini po shqyrtojnë edhe kandidatë të tjerë, ku nuk përjashtohet as rikthimi i Mirel Josës. Përveç emrave të trajnerëve, te Tirana po punojnë edhe për përforcimet e sezonit të ri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›