QSUT, aparaturë e re për diagnostikimin e sëmundjeve endokrine
Sëmundjet endokrine tashmë do të diagnostikohen shumë herë më shpejt dhe më saktë. Kjo do të bëhet e mundur falë aparaturës së re, Gamma Camera ose shintigrafia, që është instaluar dje pranë Shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gamma Camera ose shintigrafia e re, që bën të mundur ekzaminimin e gjëndrës tiroide, është e vetmja aparaturë që mund të bëjë ekzaminim të paratiroides ose të zbulojë nëse paratiroidja është ektopike. Sipas mjekëve të Shërbimit të Endokrinologjisë, kjo aparaturë është unike për diagnostikimin e problemeve endokrine, pasi as skaneri dhe as rezonanca magnetike nuk mund të bëjnë identifikimin e qelizave të sëmura të gjëndrës tiroide. Për më tepër, një përdorim të rëndësishëm Gamma Camera ka në fushën e kardiologjisë, ku mund të diagnostikojë ecurinë post operatore të miokardit, por edhe të shohë dëmtimet e tij te pacientët me diabet. Gjithashtu, kjo pajisje mund të përdoret për të parë nëse ka metastaza kockore të kancereve të ndryshëm, ose të diagnostikojë fraktura të vogla kockore që nuk mund të shihen në grafi të zakonshme ose dhe të diagnostikojë nekroza aseptike. Kjo aparaturë mund të kryejë edhe limfoshintigrafinë. Sipas mjekëve të Shërbimit të Endokrinologjisë, pajisja ofron një shërbim unik për vendosjen e diagnozave për sëmundjet endokrine, por shërben edhe për diagnostikimin e shumë trajtave tumorale në organizëm. Pas një injektimi të lëndës radioaktive që bëhet në vena, aparatura arrin të japë një informacion për zonën e dëmtimit dhe pas trajtimit me jod radioaktiv, sërish arrihet të shikohet sa është zona e trajtuar. “Ky është një shërbim që do i ofrohet popullatës, sidomos të sëmurëve që kanë probleme të tiroides. Sot, kanceri i tiroides po rritet dhe po kap moshat e reja, ndaj me anë të kësaj aparature ne do të bëjmë diagnostikimin, ndjekjen dhe trajtimin e kësaj patologjie të tiroides. Në këtë laborator nuk do të bëhet vetëm tiroidja, por edhe ekzaminime të tjera që kanë të bëjnë me shiltigrafinë e miokardit, për të diagnostikuar të sëmurët që kanë të bëjnë me infarktin e miokardit dhe si do të ndiqet”, - ka pohuar shef i Shërbimit të Endokrinologjisë, Agron Ylli. Sipas tij, me anë të kësaj aparature mund të bëhen deri në 25 diagnostikime në ditë. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm gjatë inaugurimit të aparaturës së re ka pohuar: “Ky është një ekzaminim shumë bashkëkohor, që ka munguar prej kohësh. Praktikisht, Klinika e Endokrinologjisë është në kushtet e një niveli ekzaminimi shumë bashkëkohor dhe mjaft të lartë. Profesorati dhe stafi që shërben janë të një niveli shumë të lartë dhe gjithashtu edhe specialistët që merren direkt me aparaturën janë të kualifikuar, dhe kështu në total arrijmë në konkluzionin që kemi një diagnozë shumë më të shpejtë dhe koncize. Falë kësaj, koha e diagnostikimit shkurtohet dukshëm dhe ka më shumë cilësi në trajtimin e të sëmurëve, të cilët mund të trajtohen në kohë shumë të shpejtë”. Aparatura Gamma Camera ka një vlerë prej 700 000 USD (100 000 USD për blerjen e saj janë nga buxheti i shtetit). Marrja e kësaj aparature vjen pas një bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë. Ky bashkëpunim siguron për herë të parë furnizim të paktën për dy vjet me lëndë të parë për funksionimin e aparaturës Gamma Camera.