Murinjo: Interi, skuadra e vetme që frenoi Barçën
Në mënyrë surprizë, për sfidën e sotme, tek Interi është grumbulluar edhe Milito. Zhoze Murinjo shpreson të mos heqë dorë nga shërbimet e argjentinasit: "Mendoj se mund ta aktivizoj. Kemi edhe një stërvitje në mëngjes përpara ndeshjes, më pas do të vlerësojmë gjendjen e tij". Kundër Udinezes, Maikon nuk do të jetë: "Një mungesë që peshon. Ai është një lojtar thelbësor për skuadrën. Mjafton të kujtoni sfidat me Milanin, Napolin dhe Rubin Kazanin. Për më tepër, Udineze është mjaft e fortë në lojën nga krahët. Do ta zëvendësojmë me Santon ose Zanetin, dy lojtarë shumë të mirë, por që nuk kanë karakteristikat e Maikon. Santon dhe Baloteli kanë qenë protagonistë në dy ndeshjet e fundit me gabimet e tyre, por kush ka lojtarë të rinj në skuadër, duhet t‘i presë këto gabime". Dy paraqitjet e dobëta kanë ardhur edhe sepse mungonin Shnajder dhe Tiago Mota. "I blemë këta lojtarë jo me synimin për të mos shpenzuar para, por sepse ishim të vetëdijshëm se duhej të përmirësonim lojën në mesfushë. Është e vërtetë që sfidat në fushën e Sampdorias dhe atë të Kazanit nuk ishin në nivele të larta, por kundërshtarët ishin shumë cilësorë. Ju diskutoni shtatë ndeshjet tona pa fitore në Champions, shtoi Murinjo, duke ‘shigjetuar‘ Juventusin (që nuk fiton prej gjashtë ndeshjesh), dhe kur flisni për Interin duket sikur janë 70 takime. Ndërsa për të tjerët, gjashtë ndeshje pa fitore, duket sikur janë dy ose tre. Barazimi jonë me Barcelonën, ku ishim skuadra e vetme në këtë fillim sezoni që nuk kemi pësuar gol dhe i kemi marrë pikë kampionëve të Europës, u quajt dështim, ndërsa barazimet e të tjerëve me skuadra modeste i quani kryevepra". Duke folur për paraqitjet e zikaltërve në Ligën e Kampioneve, tekniku luzitan shtoi: "Nëse dikush thotë që Interi nuk fiton prej shtatë ndeshjesh në Champions nuk mërzitem, por më bezdisin diskutimet se ky trofe i mungon prej 40 vitesh klubit. Në Kazan: për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet, arritëm një rezultat të mirë. Nëse shikoni skuadrën, ishte e njëjta me atë të vitit të kaluar, vetëm pa Ibrahimoviçin. Nuk mund të bënim më tepër, mbi të gjitha në pjesën e dytë, kur mbetëm në inferioritet. Përse Interi luan keq? Nuk jam dakord me ata që thonë se nuk kemi luajtur mirë". Për Balotelin, Murinjo tha: "Fola me të, pesë sekonda pas ndeshjes në Rusi. Nuk do largohet në formë huazimi, ka nevojë të rritet tek Interi. Një tjetër rast Adriano? Situatat e këtyre lojtarëve nuk mund të krahasohen". Tek Interi ka shpërthyer edhe një çështje "Vieira": mesfushori ka kërcënuar se në rast se nuk luan rregullisht, do të largohet. "Të gjithë lojtarët duan të luajnë më shumë: Patrik ka luajtur 283 minuta në gjashtë ndeshje, tre si titullar dhe tre si zëvendësues. Jam i lumtur nëse një lojtar ka ambicien që të luajë më shumë, por nuk jam i lumtur nëse një lojtar kërkon të luajë më shumë. Një këshillë për të? Do t‘ia jap privatisht", tha Murinjo.