E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekuton mjekun për të shpëtuar nderin

Një krim për xhelozi dhe hakmarrje mashkullore i kryer brenda një spitali, ndërsa mjeku ishte në punë e sipër, ka tronditur jo vetëm Durrësin, po mbarë opinionin publik. Bluzat e bardha janë goditur sërish dhe këtë herë jo për një çështje që ka lidhje me detyrën e tyre, por me një ngjarje krejt banale.

Mjekët ndjehen të pasigurt për jetën teksa kryejnë detyrën në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve në dhomat e vizitave brenda në spital. Mjeku radiolog, Fatmir Thaçi, 54 vjeç, baba i dy vajzave, është vrarë me pistoletë brenda spitalit të Durrësit, në vendin e punës paraditen e së premtes.

Ngjarja ka krijuar panik te bluzat e bardha dhe pacientët, ndërsa autori i qetë ka pritur policisë dhe është vetëdorëzuar pas krimit. "Si le jetimë fëmijët e mi, ashtu le të ngelen edhe të tutë". Me këto fjalë Ali Lorja, 46 vjeç, i është drejtuar mjekut radiolog, Fatmir Thaçi, ndërsa ka shkrepur në kokën e tij tre herë armën pistoletë. Burimet policore deklaruan se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe se po punohet për dokumentimin ligjor të saj.

Mjeku 54-vjeçar ka qenë duke punuar kur është vënë përballë bashkëshortit të një infermiereje, e cila u vetëhelmua këtë verë, pas përfoljes për një lidhje intime me viktimën. Ngjarja ndodhi rreth orës 09.40 në ambientet e spitalit dhe pikërisht në sallën e Radiologjisë. Çdo ndërhyrje e kolegëve ka qenë e kotë. Vdekja e Thaçit ka qenë e menjëhershme për shkak të plumbave të marrë në kokë dhe nga afër. Momentet e fundit të viktimës kanë qenë momente tmerri.

Atmosfera e krijuar në spital është tejet e rëndë. Pacientë dhe qytetarë që kanë dëgjuar krismat dhe rastin kanë nxituar të dalin nga godina e të mos kthehen më aty për arsye pasigurie. Dyert e spitalit janë mbyllur për pacientët dhe vizitorët deri në një urdhër të dytë, ndërsa personeli mjekësor shprehet i pasigurt për jetën ndërsa kryen detyrën.

Njerëz të afërm me viktimën thonë se për disa kohë mjeku i trembej agresivitetit të autorit dhe rënia në heshtje e tij duket se ia kishte larguar frikën për ndonjë "hakmarrje", ndonëse të pamerituar.

Shumë prej personelit mjekësor shprehen se lidhja e shumëpërfolur intime që u mori jetën dy njerëzve nuk ka qenë ekzistente. Ajo është ushqyer nga fjalët e një të afërmeje të autorit që gjithashtu punon në spitalin e Durrësit si infermiere, bashkë me gruan e autorit, e cila u nda nga jeta, për shkak të presionit dhe dhunës së ushtruar mbi të.

Afro dy muaj më parë, më 7 korrik, menjëherë pas vetëhelmimit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës do të pranonte dosjen e policisë me materialet paraprake për nisjen e hetimeve për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes. Kjo erdhi pas vetëhelmimit të gruas 45-vjeçare të autorit, Liljana Lorja, nënë e dy fëmijëve. Liljana ishte infermiere në spitalin rajonal të Durrësit dhe koleget tregojnë se ishte viktimë e dhunës bashkëshortore dhe akuzave të të shoqit për tradhti.

Kjo situatë e çoi drejt përdorimit të fostoksinës. Po ndërsa dosja mbyllet si vetëvrasje, bashkëshorti i saj kryen krimin e paralajmëruar dhe dorëzohet në polici së bashku me armën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›