Dëmtohet Bakaj, në dyshim për sfidën me Laçin dhe Kombëtaren
Elis Bakaj rrezikon të frenohet për disa javë, pikërisht kur po kalonte momentin më të mirë. Mesfushori me tipare sulmuese i Dinamos është dëmtuar gjatë seancës stërvitore të ditës së enjte dhe prezenca e tij është në dyshim për sfidën e së shtunës, ku të besuarit e trajnerit Shkëlqim Muça luajnë në fushën e Laçit. Burimet pranë klubit kryeqytetas pohuan se lojtari ka marrë një goditje në kavilje nga mbrojtësi Erjon Xhafa dhe gjendja e tij do të ekzaminohet sot. "Bakaj është goditur gjatë stërvitjes. Ai ka pësuar një goditje në kavilje gjatë lojës me porta të vogla dhe për të vlerësuar seriozitetin e dëmtimit, të premten (sot), lojtari do t‘u nënshtrohet analizave për të mësuar me saktësi se për çfarë dëmtimi po flasim", deklaruan burime pranë stafit mjekësor. Rikuperimi në kohë i Bakajt për ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit duket shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Madje, lojtari rrezikon edhe përfaqësimin në Kombëtaren e drejtuar nga Josip Kuzhe, për takimin e 14 tetorit në fushën e Suedisë. Prej datës 6 tetor, lojtari duhet të fillojë grumbullimin me kuqezinjtë, në Frankfurt të Gjermanisë.
e. k.
e. k.