E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Roma më pëlqen, por Interi im do fitojë

Nga Altin Latifi 

Frikë? Çfarë do të thotë kjo në futboll? Unë nuk e njoh fare këtë fjalë. Hoze Murinjo e përgatit sfidën kundër Romës me të njëjtin mentalitet dhe vetëm një objektiv të deklarua: tre pikët! "Kundërshtari është i fortë dhe luan në shtëpi. Roma ka 6 pikë më pak se ne dhe po përgatitet për një ndeshje të madhe. Por, ne mund të fitojmë", tha tekniku i Interit në konferencën e djeshme për shtyp. Murinjo foli edhe për rekuperimin e Françesko Totit, që sot pritet të jetë në fushë, qoftë edhe për një pjesë loje. "Nëse rikthehet është i mirëpritur, ashtu si çdokush që sjell cilësi më shumë në futboll", shtoi portugezi.
Mister, ndeshja e nesërme do të jete vendimtare për titullin?
Jemi në tetor, në këtë periudhë kam luajtur ndeshje kur isha në vend të parë i shkëputur me 7 pikë, kur isha i dyti me 5 pikë për të rekuperuar. Në të dy rastet kam fituar kampionatin. Klasifikimi në këto momente nuk ka rëndësi.
Por, ky takim mund të nxjerrë ndonjë të vërtetë...?
Asnjë. Është shumë shpejt. Unë kam fituar 4 kampionate dhe e di si fitohet. Në ditën e fundit, në ndeshjen e fundit, duhet të kesh më shumë pikë. Duhet të jesh i rregullt, të mos humbasësh pikë idiote në ndeshje idiote. Nuk fitohet kampionati duke fituar një derbi.
Mister, mund të na bëni pak pasqyrën e të dëmtuarve pas ndeshjeve të kombëtareve?
Vieira dhe Burdizo janë rikthyer të dy të dëmtuar, ndërsa Rivas nga ndeshja me Bolonjën. Po kështu Figo ka një problem në këmbë dhe e ka filluar vetëm tani punën në fushë. Kur vjen pushimi i ndeshjeve ndërkombëtare kam gjithnjë frikë se mund të ndodhë diçka. Këtë herë ndodhi me Vieira e Burdizo. Në mesfushë kemi një situatë emergjente, të vështirë, pasi futbollistët që janë mirë duhet të bëjnë një sakrificë.
Cili është gjykimi juaj në lidhje me futbollin e Romës në sezonet e fundit dhe për teknikun Spaleti?
Për Spaletin në fakt nuk ka nevojë të thuash asgjë. Puna flet për të. E nisi sezonin me ndonjë humbje të papritur, por edhe fjalët e shprehura nga Rosela Sensi dhe Bruno Konti, janë një konfirmim i cilësive të tij si trajner dhe për punën e bërë te Roma. Është një trajner i madh. Pikë. Një humbje ose dy nuk e bëjnë trajnerin e mirë trajner mediokër. Kur isha jashtë dhe shihja sesi luante Roma, më pëlqente stili i saj, cilësia e shprehur dhe kërkimi i fitores nëpërmjet spektaklit. Roma është një skuadër që më pëlqen, por mendoj se Interi im mund ta mposhtë.
Adriano është rekuperuar, por para portës nuk duket aq "vrasës" si dikur...?
Nëse arrin i lodhur para portës është sepse nuk ka punuar rregullisht vitet e fundit. Për të të shënuar duhet të luash. Nëse nuk luan nuk shënon. Por, për të luajtur duhet të punosh. Kështu është futbolli.
Kuarezma duket pak në vështirësi. E prisnit këtë?
Vështirësitë e Kuarezmës lidhen me faktin se nuk ka bërë fazë përgatitore. Nuk ka punuar shumë, madje atëherë kur ka punuar, nuk e ka bërë mirë, sepse e ka patur mendjen në vend tjetër.
Cili mendoni se duhet ta fitojë "Topin e Artë"?
Sot lexova një deklaratë të Paolo Maldinit për këtë çështje, ku kapiteni i Milanit thoshte se për të "Topi i Artë" nuk do të thotë asgjë dhe se nuk do ta ndërronte me asnjë nga trofetë e fituar me skuadrën e tij. Jam plotësisht dakord me të. Futbolli luhet me 11 vetë. Maldini ka treguar se ka pikërisht mentalitetin që ka nevojë një trajner. Kur ke futbollistë të tillë, 50 % e punës së trajnerit është bërë.
Në Itali ekziston "Pankina e Artë". Nëse do ua jepnin juve, do kishit të njëjtin mendim si për "Topin e Artë"?
Unë e kam fituar një çmim të tillë në Portugali, në Angli dhe në zonën e UEFA-s. Këto trofe janë në shtëpinë time në Portugali, ku nuk i shikoj çdo ditë. Nuk janë shumë të rëndësishëm për mua. Kur i kam fituar, e kam ndarë gjithnjë meritën me lojtarët, me klubin dhe me stafin.
Ka një objektiv final për Hoze Murinjon?
Objektivi për ndeshjen e nesërme (sotme) është fitorja. Për fundin e sezonit është kampionati. Mund ta fitosh titullin nëse ke skuadrën më të mirë dhe kjo është përgjegjësia jonë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›