E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana: Berisha u mërzit, nuk pati gjë me tifozët

Lorik Cana është mësuar të kujdeset për çdo detaj. Zëvendëskapiteni i Shqipërisë është i shqetësuar përket rrjedhës që po merr e ashtuquajtura “çështje Berisha”, pas barazimit të madh të Shqipërisë me Portugalinë (0-0) në Bragë.

Kapiteni i Marsejës në një prononcim për “Albania-sport.com” sqaroi edhe momentin që, sipas tij, ka futur padashur sulmuesin e Rozenborgut, Besart Berishën me tifozët.

“Dua të saktësoj se nuk ekziston një problem i Besartit me tifozët. Unë nuk i kam tërhequr vëmendjen atij për ta detyruar të përshëndesë tifozët pas përfundimit të ndeshjes, por saktësisht i kam thënë: ‘Ah, sikur të kishe pasur te Skela në rastin për gol, do të kishim dalë me fitore nga kjo fushë’. Besarti më largoi dorën, por kjo nuk kishte të bënte fare me tifozët”, - sqaron mesfushori polivalent, që i bën dhe një lutje medias për një bashkëpunim më frytdhënës.

“Pas kësaj arritje me Portugalinë e kalimit të momentit të vështirë me Hungarinë, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se Kombëtarja ka nevojë për median. Na nevojitet morali i lartë për të arritur rezultate të mira. Të mos harrojmë polemikat që krijoi më parë shtypi në lidhje me raportet e disa lojtarëve të Kombëtares me ish-trajnerin Oto Bariç”.

Loriku flet edhe për gjendjen emocionale të Berishës. “Besarti vjen nga një dëmtim i rëndë dhe natyrshëm që mund të reflektojë edhe një shenjë mërzie, por kurrë ndaj tifozëve apo stafit teknik. Këto gjëra ndodhin në futboll dhe nuk mund të kthehen në polemika. Nuk ka asnjë çështje në Kombëtare, po kalojmë një moment të mirë pas atij barazimi me Portugalinë dhe mendoj se të gjithë duhet të na qëndrojnë pranë”.

Loriku flet edhe për dy ndeshjet e ardhshme, ato kundër Maltës në transfertë e Hungarisë në Tiranë: “Jemi me moral të lartë dhe shpresojmë në rezultate të mira e për të zënë një vend të mirë në grup”.

E Shtune, 18 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›