SHBA: Vendosja e misionit EULEX stabilizon rajonin
BEOGRAD - Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Cameron Munter thotë se është me rëndësi që misioni i EULEX-it në Kosovë të shtrihet sa më shpejt, pasi ky i fundit do t’i sjellë stabilitet rajonit. “Shpresojmë se EULEX-i do të vendoset me vullnetin e të gjithëve, duke e kuptuar se ka për qëllim t’i mbrojë të drejtat e të gjithëve, shqiptarëve dhe serbëve, dhe stabilitetin në rajon”, - ka thënë Munter. Ai gjithashtu është shprehur optimist sa i përket vendosjes së misionit, por ka shtuar se e ka të vështirë të precizojë se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Por menjëherë ka ardhur reagimi i ish-kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica. Ai deklaroi se pranimi i misionit EULEX do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës. Koshtunica, një nacionalist ekstrem, deklaroi se EULEX del nga plani Ahtisaari dhe ka një mision të qartë: “Të krijojë institucionet e Kosovës së pavarur. Ndaj nuk ka asnjë arsye, ligjore apo tjetër që të pranohet ky mision”, - tha lideri i Partisë Demokratike të Serbisë për gazetarët. Komentet e Koshtunicës në fakt i drejtohen presidentit serb, Boris Tadiç, i cili është shprehur se ka mundësi që BE-ja dhe Serbia të bien dakord për dislokimin e EULEX-it në Kosovë, por ka vënë tri kushte: Misioni të marrë miratimin e OKB-së; të ketë qëndrim neutral për statusin dhe të mos aplikojë planin Ahtisaari. Nga ana tjetër, kreu i EULEX-it, Iv de Kermabo është shprehur se marrëveshja me Beogradin është e afërt, por nuk përmendi plotësimin e kushteve që kërkon Serbia.
(d.b/BalkanWeb)