E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo "bëhet" italian: S'e them më formacionin

Nga Altin Latifi 

Seria A do të luajë sot javën e tetë, teksa vëmendja do të jetë sidomos në dy ndeshje. Në "San Siro" Interi do të presë Xhenoan, një ekip që është treguar makthi i të mëdhenjve në këtë fillim sezoni. Hoze Murinjo ka vepruar ndryshe në prag të kësaj sfide, duke konfirmuar vetëm rikthimin në portë të brazilianit Hulio Cesar dhe asnjë prej 11-shit titullar. "Jam duke u italianizuar, duhet ta bëj këtë. Madje, po përpiqem që të jem edhe më simpatik", ka shpjeguar tekniku portugez. Pra, asnjë detaj mbi formacionin që do të zbresë në fushë. "Duhet ta respektojmë kundërshtarin, që di të luajë mirë dhe ka futbollistë shumë të mirë, përveçse një principi loje që nuk ndryshon kurrë. Kështu që ndeshja do të jetë e vështirë", deklaroi ai. Gjithsesi, favorit mbetet Interi, që vjen pas fitores së vështirë në Champions League kundër Anorthosis. "Ndoshta Interi do të ketë më shumë posedim të topit dhe më shumë raste, por duhet ta dimë që Xhenoa i shfrytëzon shumë mirë mundësitë që i jepen", shtoi tekniku i Interit. Nuk mund të mungonte një pyetje për Devid Bekham në konferencën e djeshme të Murinjos. "Nëse Bekham vjen në Milani, do isha shumë i kënaqur. Do të ishte një kënaqësi ta takoja, sepse është një djalë shumë i edukuar dhe i qetë". Trajneri i Interit e pret i qetë vendimin e klubit rival të qytetit për të marrë një lojtar 33 vjeçar. "Nuk është problemi im nëse Ançeloti është i kënaqur apo jo. Unë mendoj për Milanin vetëm dy herë në vit, ose 4 herë nëse na bie edhe në Kupën e Italisë", shtoi tekniku.
Ançeloti
Milani ka padyshim një transfertë shumë të vështirë sot kundër Atalantës. Në Bergamo, skuadra e Ançelotit ka hasur gjithnjë vështirësi për të fituar, ndonëse këtë herë vjen pas një gjendje shumë të mirë, duke qenë se ka fituar në dy ndeshjet e fundit, me Sampdorian dhe Herenvenin. "Atalanta është gjithnjë kompakte dhe nuk lë hapësira për kundërsulm, kështu që duhet një lojë sulmi e bazuar tek potenca", tha Ançeloti. Fjalë që nënkuptojnë se Marko Borrielo do të jetë titullar, me Inzagin që mund ta nisë sërish nga fillimi. "Duhet të vazhdojmë momentin e mirë që po kalojmë. Sfida e nesërme (sotme) do të jetë shumë delikate dhe e vështirë, por jo e pamundur. E di që Atalanta do të luajë në mënyrë shumë të orientuar në fushë". Sërish çështja Bekham. "Të ishte për mua, do ta blija. Ai nuk është turist, por një futbollist i klasit botëror", përfundoi trajneri i Milanit.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›