Murinjo e ka tashmë kokën te Siti
"Futbolli im është ai anglez". Tifozët e kanë lexuar dhe rilexuar deklaratën e trajnerit zikaltër Zhoze Murinjo, e dhënë për të përditshmen autoritare "The Times", që më pas do të përfundonte në librin e Sër Aleks Ferguson, trajnerit-ikonë të Mançester Junajtid. Në një prospektivë afatgjatë, Murinjo kishte thënë se dëshironte një projekt si ai që "Red Devils"-at kanë nisur në mesin e viteve ‘90 e deri tani, ose më saktë një pankinë ku të bëjë historinë e klubit dhe të futbollit europian: vetë portugezi e ka përkufizuar Fergusonin si trajneri më i mirë në botë (nuk dihet nëse e ka përfshirë veten apo jo), duke lënë të nënkuptohet se në Itali nuk është e mundur të rikrijosh të njëjtin sistem për shkak të rezultateve, i pari dhe i vetmi gjykim i punës së një trajneri. Vlejnë më shumë fitoret, se sa një projekt afatgjatë, prandaj Murinjo dëshiron të ikë nga Italia. Gazetat dhe gazetarët e kanë lodhur, mjafton të mendosh për intervistat para dhe pas ndeshjes me Rubin Kazan ose skenat e së dielës me gazetarin Andrea Ramazoti të "Corriere dello Sport". Një lamtumirë pothuajse e qartë, të paktën në fund të sezonit, në rast se Interi nuk arrin të fitojë. Por edhe nëse i ikën nga duart Champions League. Dhe Mançester, si për Aleks Fergusonin, mund të jetë një qytet i duhur, por këtë herë në krahun e Sitit. Lajmi vjen nga Anglia, me 10 milionë sterlina në vit, që sheikët janë gati t‘ia garantojnë "Special One"-it, të paharruar nga britanikët dhe mediat ishullore pas sezoneve me Çelsin. Sheiku Mansur bin Zajed Al Nahyan ka vendosur të ndërtojë një superskuadër dhe luzitani mund të jetë trajneri ideal, nëse Mark Hjuxhs nuk do të mundej të arrinte të paktën vendin e katërt në klasifikim: pa Liverpulin, tashmë shumë mbrapa, kualifikimi është i mundur. Por mund të mos mjaftojë, me gjithë respektin për Murinjon, që do të kthehej te futbolli i tij, ai anglez. Ndërsa trajneri portugez është bërë protagonist i sharjeve dhe shtyrjes së gazetarit të "Corriere dello Sport". Dje ka reaguar presidenti Morati, i cili më parë ka komentuar incidentin e Silvio Berluskonit. "Me vjen me të vërtetë keq. Është shumë e rëndë, ndiej keqardhje të sinqerta". Për sa i përket Murinjos, Morati është shprehur: për momentin nuk preferoj ta komentoj, sepse nuk i kam të gjitha elementet për të gjykuar", ka theksuar ai në lidhje me episodin. Unioni i shtypit sportiv italian (USSI) ka kërkuar ndërhyrjen energjike të padronit të Interit, por ky i fundit synon të jetë më i përmbajtur në gjykimin e tij.