E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo, merkato "sulmuese": Aguerro, Drogba e Akuafreska

Hoze Murinjo duket i zhgënjyer nga reparti ofensiv i Interit dhe pritet që shumë shpejt të bëjë ndryshime drastike. Tekniku zikaltër ka përpiluar listën me sulmuesit që dëshiron t‘i ketë në skuadër për sezonin e ardhshëm: aty ndodhen (i zakonshmi) Didier Drogba, Serxho Aguero dhe Robert Akuafreska. E përditshmja "Corriere Dello Sport" pretendon se presidenti Masimo Morati do t‘i japë drejtuesit të stolit një tjetër "çek të bardhë" gjatë merkatos së verës, në mënyrë që të tre këta futbollistë të bëhen pjesë e kampionëve në fuqi të Serisë A. Të gjitha problemet e trajnerit luzitan në këtë edicion lidhen me sulmin. I vetmi që garanton gola për skuadrën është Zlatan Ibrahimoviç dhe Murinjo nuk ka si të mos jetë i pakënaqur, duke parë sa shumë sulmues ka në dispozicion. Adriano dhe Mario Baloteli i kanë shkaktuar skuadrës mjaft probleme me sjelljen e tyre jashtë fushës, ndërkohë që aktivizimi i pakët i Kruz e Krespos konfirmon besimin e pakët që stafi teknik ka tek ata. Kjo është arsyeja përse kërkohet blerja e lojtarëve të rinj, të cilët do të zëvendësojnë ata që nuk shihen si të nevojshëm për të ardhmen. I preferuari i portugezit mbetet sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba. 30-vjeçari nga Bregu i Fildishtë mund të largohet nga blutë në merkaton e verës, edhe sepse loja e tij ka pësuar rënie të ndjeshme menjëherë pas largimit të Murinjos nga "Stemford Brixh". Klubi zikaltër po mendon të riblejë kartonin e Akuafreskës: sulmuesi i lindur në Poloni ka treguar formë të jashtëzakonshme në këtë sezon, duke ndihmuar Kaljarin që, nga një ekip i cili lufton për mbijetesë, të klasifikohet mes skuadrave konkurrente për Ligën e Kampioneve. "Mou" e kërkon me çdo kusht afrimin e lojtarit të përfaqësueses Under-21 të Italisë. I fundit për nga radha, por jo për nga rëndësia, është ylli i Atletikos së Madridit, Serxho Aguero. Skuadra e dytë e kryeqytetit spanjoll ka zhgënjyer me paraqitjet e saj në këtë sezon dhe argjentinasi mund të tundohet nga transferimi te një prej klubeve më të fortë në Evropë. Për më tepër, vjehërri i tij, i cili është Diego Armando Maradona, duket se po ndikon që ta shtyjë Agueron tek Interi. Megjithatë, për të afruar këta tre futbollistë, më parë Murinjo duhet "të sistemojë" në skuadra të tjera Hernan Krespon, Hulio Kruz dhe Mario Balotelin.

Për blerjet e reja, Murinjo do të ketë mbështetjen totale të Moratit. Marrëdhënia nuk është prishur as pas deklaratave të teknikut në konferencë për shtyp, se në Londër arriti ta ndërtonte skuadrën nga e para, ndërsa në Milano ka gjetur një kontingjent, të cilin ende nuk e ka "modeluar" sipas dëshirës. Pavarësisht këtyre fjalëve, padroni zikaltër ka hedhur poshtë çdo polemikë: "Pikë së pari, Murinjo është një person inteligjent, i nivelit të lartë, deklaroi Morati. Si i tillë, ai evidenton problemet e skuadrës, punon seriozisht për të arritur rezultate pozitive dhe përdor skemën që mendon se është më e mira për të fituar: ai duhet përgëzuar dhe nuk duhet kritikuar. Ai është i drejtpërdrejtë, i sinqertë dhe marrëdhënia jonë është e fortë dhe transparente. Murinjo më pëlqen gjithmonë e më shumë dhe gëzon gjithë mbështetjen time".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›