Partizani "ha kokën" e Zlatko Daliç
Zlatko Daliç është viktima e javës së 19-të në Kategorinë Superiore. Pas humbjes 1-0 të Dinamos në derbin me Partizanin, me golin e Dritan Babamustës vetëm pesë minuta nga mbyllja e takimit, trajneri kroat është paraqitur në dhomat e zhveshjes, duke i konfirmuar lojtarëve dorëheqjen. "Unë nuk do të jem më trajneri juaj", mësohet t‘u ketë thënë "senatorëve" të skuadrës. Ndërsa më parë për mediat ai tha: "Urojmë Partizanin që fitoi ndeshjen, ata e merituan fitoren, pasi luajtën më mirë. Kjo ishte humbja jonë e dytë dhe jam i shqetësuar". Shkak janë bërë dy humbjet radhazi, fillimisht me Tiranën dhe tashmë me të kuqtë e Shpëtim Duros. Me këto rezultate negative, dinamovitët janë shkëputur dukshëm nga Vllaznia kryesuese (diferenca u rrit me tetë pikë), ndërkohë që Daliç u bind se ndoshta ka ardhur koha t‘i hapë rrugën një trajneri, i cili do të rikthejë ekipin në luftën për titull. As përforcimet gjatë merkatos së dimrit, ku flitet për afro 300 mijë euro të shpenzuara, nuk kanë mjaftuar që kampionët në fuqi të shfaqen konkurrues. Humbja me Partizanin, skuadër e cila lufton për mbijetesë, ka sjellë në mënyrë të pashmangshme krizën dhe "preu kokën" e teknikut të afruar me shumë bujë nga presidenti Besnik Sulaj. Fillimisht drejtuesi i klubit kryeqytetas nuk pranoi që Daliç të largohet, por me kalimin e orëve, situata ndryshoi. Sipas burimeve pranë bluve, ai nuk do të jetë më në krye të skuadrës, por kjo ende nuk është zyrtare: "Edhe pse fillimisht presidenti Sulaj nuk e pranoi dorëheqjen e Daliç, disa orë më vonë ai vendosi se ndoshta është më mirë që trajneri të largohet. Gjithsesi, nesër (sot) klubi do të dalë me një qëndrim zyrtar". Dje pasdite, krerët e Dinamos konfirmuan: "Është e vërtetë që trajneri Zlatko Daliç paraqiti dorëheqjen, kërkesë të cilën klubi po e shqyrton. Ende nuk mund të themi nëse ai do të vazhdojë punën te Dinamo. Kjo do të mësohet vetëm nesër (sot)". Nëse kroati largohet, ai bëhet trajneri i njëmbëdhjetë që shkarkohet nga detyra në 19-të javë të Superiores. "Viktima" e fundit në elitën e futbollit shqiptar ishte Edmond Liçaj, ish-trajner i Flamurtarit.
Në anën tjetër, "demat" konfirmuan se, me gjithë krizën e rëndë financiare, e kanë potencialin të qëndrojnë mes më të mirëve. Sakrifica e lojtarëve brenda dhe jashtë fushës së lojës ka gjetur solidarizimin e tifozëve që në "Qemal Stafa" u paraqitën me parullën "Ju nuk jeni kurrë vetëm". Megjithëse nuk luajtën bukur, të besuarit e Shpëtim Duros arritën të paraqiteshin si të barabartë me Dinamon. Goli i shënuar nga Babamusta në të 85-tën nuk i la asnjë shans kundërshtarëve që të rikuperonin dizavantazhin. Në këtë mënyrë, Partizani regjistron fitoren e katërt sezonale (të dytën radhazi në kampionatin 2008/09) dhe ngjitet në kuotën e 19 pikëve. Përveç Lushnjës, të kuqtë lënë pas edhe Bylisin dhe tashmë mbijetesa nuk duket një ëndërr e parealizueshme. Ata kanë vetëm katër pikë diferencë me Elbasanin e vendit të nëntë dhe gjashtë nga Teuta, e cila renditet e gjashta në kampionat.