E Diel, 1 Nëntor 2026

POLITIKA E RE, NENSHTRIM APO DEBAT I LIRE?

Nëse ka ndonjë gjë të re në politikën shqiptare të këtyre ditëve, është pikërisht debati për buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Pikërisht kjo dukuri, që po mallkohet nga propaganda e vjetër e Edi Ramës si armiqësore me "interesat e popullit të Tiranës", është manifestimi i demokracisë në veprim. Ky debat i paparë për buxhetin e Tiranës është e reja, ndërkohë që një buxhet i miratuar në unitet nga një shumicë e majtë PS-LSI (edhe pse mund të mos jetë hartuar në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve), do të ishte në vazhdën e politikës së vjetër të unitetit politik partiak apo ndërpatiak, në kurriz të qytetarëve, të një politike ku "të vegjlit" i bashkohen dhe konformohen me "të madhin" në pushtet pa bërë zë.

***

Ndoshta debati në "Parlamentin" e Tiranës ka pasur një audiencë më të madhe, sesa debati për buxhetin në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk kish ndodhur kurrë më parë. Po kush po e sjell këtë dukuri të re në politikën e vjetër shqiptare? Mos vallë ndonjë parti "e mirë" që, më në fund, ka marrë në dorë drejtimin? Mos vallë ndonjë lider "i mirë", ndonjë Mesia apo shpëtimtar? Për fat të mirë jo. Ky debat është produkt i dorës së padukshme të tregut politik ende të lirë dhe të pamonopolizuar nga një shumicë dërrmuese, është produkt i asaj dore të padukshme që përplas ambiciet e Edi Ramës me ato të Ilir Metës dhe të të tjerëve, është produkt i asaj dore që trazon në vorbullën e politikës interesa private të maskuara me "shqetësime publike" që përplasen me interesa publike të denoncuara si private.

Motivi i të gjithë këtyre aktorëve, liderëve, besnikësh që veprojnë nën flamuj partish të ndryshme, mund të jetë edhe tërësisht i ngushtë, tërësisht partiak, por rezultantja që prodhon kjo përplasje ku ambicia ka mundësi të korrigjojë ambicien, do të jetë pa dyshim shumë më pranë interesave të qytetarëve të Tiranës sesa një buxhet produkt i një situate ku, shumica e majtë e bashkuar do të miratonte një buxhet (ashtu siç bëri PD-ja para pak kohësh në Kuvend) duke shpërfillur totalisht kërkesat e opozitës. Kjo e fundit është situatë e një politike të vjetër, e tiranisë së shumicës dhe konformizmit që e miraton buxhetin "edhe pse ai nuk është i përsosur". Nga kjo kemi vuajtur dhe po vuajmë. Politikë vërtet e re është një situatë si kjo e sotmja, plot debat, kundërshtime dhe "shuplaka". Do ta donim këtë situatë që shqelmon konformizmin me liderin, edhe sikur PS të kishte të gjitha votat për buxhetin. Epërsia e një politike të re nuk qëndron te pranimi pa debat, te nënshtrimi i maskuar me "unitet" apo "bashkim", por te debati, te përplasja që janë shfaqje të lirisë në tregun politik.

***

Fatkeqësisht, Edi Rama, me buxhetin e Tiranës, po tregon të njëjtën arrogancë që tregoi Berisha me buxhetin e Shqipërisë. Fatmirësisht, LSI-ja dhe Ilir Meta po luan në debatin për buxhetin e Tiranës, po atë rol që luajti edhe PS dhe Edi Rama në kundërshtimin e buxhetit të Berishës. Për këtë "mëkat", propaganda e vjetër e PS e shpalli LSI-në armike të interesave të popullit të Tiranës. Me këtë "logjikë", i bie që PS-ja të shpallet armike e popullit shqiptar me që nuk votoi buxhetin e qeverisë. Por kjo do të ishte e padrejtë për PS-në ashtu siç është e padrejtë akuza e PS-së për LSI-në.

Sepse jemi të bindur që shumë nga kërkesat e opozitës socialiste për buxhetin e qeverisë ishin të drejta dhe se po të mos ishin hedhur poshtë me arrogancë, sot shqiptarët do të kishin një buxhet më pranë interesave të tyre. Këtë e them me plot siguri edhe për buxhetin e Tiranës. Kemi bindjen se ai është një buxhet larg të qenurit i përsosur dhe se sugjerimet e LSI-së dhe të krahut opozitar, do ta sjellin edhe më pranë interesave të qytetarëve të Tiranës. Është mirë që Rama të heqë dorë nga propagandat boshe që i spostojnë çështjet teknike të buxhetit në truallin e stërvjetër të "armiqve të partisë dhe popullit" dhe "luftës së klasave". Ai duhet të ofrojë publikisht argumente se çfarë dëmi i vjen për shembull popullit të Tiranës, nga kërkesa e LSI-së për më shumë transparencë në investime të reja nëpërmjet listimit të tyre në buxhet. Ose ta hedhë poshtë këtë kërkesë nëse kjo listë u është dhënë këshilltarëve të LSI-së dhe opozitës. Këto janë gjëra lehtësisht të vërtetueshme, sepse janë si të vërtetat aritmetike.

Përpjekja për ta shndërruar debatin për buxhetin, si dhe aritmetikën e tij, në një çështje ideologjike, është përpjekje për të hedhur mjegull mbi të vërtetën. I ke investimet të detajuara dhe transparente? Je në rregull dhe LSI-ja është në gabim. Nuk i ke? Atëherë është në interes të popullit të Tiranës ta marrësh parasysh vërejtjen e këshilltarëve të LSI-së dhe ta bësh buxhetin më të detajuar sepse kështu, edhe kontrollohet më mirë se ku shkojnë paratë e taksapaguesve.

***

Mos vallë duam të themi se nuk ka një motivim politik në qëndrimin e këshilltarëve të LSI-së? Natyrisht që jo. Por, për hir të së vërtetës, duhet të themi se ky motiv politik kundër Ramës, është ushqyer nga po vetë Rama që nuk ka lënë gur pa lëvizur dhe "reformë" pa bërë për ta zhbërë nga themelet LSI-në që kur të jetë nesër Kryeministër, ta miratojë buxhetin pa oponencë sikundër bën Berisha sot. E megjithatë, LSI-ja nuk mund të "hakmerret" ndaj ambicies për pushtet absolut të Edit, nëse nuk mbështetet tek interesi publik, nëse nuk e kritikon Edin dhe buxhetin e tij pikërisht në ato pika ku ai nuk përputhet interesin publik. Ndryshe do të qe e humbur.

Në tregun e politikës, (ashtu si dhe në tregun e ekonomisë ku furrtari e pjek bukën që të fitojë dhe jo që t‘u bëjë mirë blerësve), interesi publik arrihet si një rezultante e interesave private, në jo pak raste, jo edhe aq të pastra. Dhe pikërisht nëpërmjet përplasjes së lirë të këtyre interesave, vesi privat ka për rezultante virtytin publik. E mira publike nuk realizohet vetëm nga njerëzit e mirë. Detyrohemi të përsërisim thënien e Zakarias se lordët dhe baronët që detyruan mbretin e Britanisë të nënshkruante Kartën e Madhe të Lirive, duke i bërë një shërbim historik njerëzimit, "nuk ishin të gjithë burra të mirë". Shqiptarët duhet të heqin dorë nga zakoni primitiv për ta besuar liderin e radhës si absolutisht të mirë. Asnjë politikan nuk mund të jetë vetëm i mirë ose dhe vetëm i keq, sepse asnjë politikan nuk qëndron tej së mirës dhe së keqes.

Ndërkaq, historia ka provuar se "virtyti privat" i ngritur në pushtet absolut të një lideri "të mirë", i pakundërshtuar dhe korrektuar nga interesat, veset dhe virtytet private të atyre që konkurrojnë për pushtet me të, do të korruptohet në mënyrën më absolute të mundshme, do të mbysë çdo virtyt në emër të "virtytit" dhe të së "mirës publike", por vërtetësisht jo për të. Dhe do të bëjë tamam siç po bën Edi Rama, do bëjë pikërisht atë që kritikonte si tradhti. Sepse edhe Rama po tenton të bëjë atë që e denoncoi publikisht si tradhti të LSI-së dhe Ilir Metës. U orvat të kalojë me arrogancë një buxhet duke bashkuar votat me aleatët e PD, me "partitë e vogla" të së djathtës që donte t‘i zhdukte me argumentin se bëjnë pazare korruptive me këdo që është në pushtet. Mjerisht, shikojmë se jo vetëm interesi publik gjen shpëtim te vesi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›