Murinjo mund te largohet kete jave nga stoli i Realit

Karlo Ançeloti u ka kërkuar sy më sy drejtuesve të Paris SG që ta lejojnë të largohet për tek Reali i Madridit.
Trajneri italian e bëri një veprim të tillë menjëherë sapo u mbyll kampionati francez fituar bindshëm nga ekipi i tij. Një nga drejtuesit kryesorë të PSG-së, pikërisht Leonardo e ka pohuar hapur se Ançeloti dëshiron të punojë tek Reali, por sheiku Al Helaifi, presidenti i klubit, ka deklaruar shkurt: Kontratat duhet të respektohen.
Italiani ka ende kontratë me parizienët, por ka edhe një klauzolë që e lejon të largohet nëse paguhen 4 milionë euro.
Presidenti madrilen, Florentino Perez, e pëlqen Ançelotin, që mbiquhet edhe “Del Boske italian”, por nuk ka ndërmend t’ia paguajë klauzolën.
Vetë Reali bëhet gati për një lëvizje tronditëse, por të parashikuar, largimin e Zhoze Murinjos. Portugezi mund të ikë që këtë javë, sipas mediave, të cilat nxjerrin sondazhe se shumica e tifozëve duan që ai të mos vazhdojë më tej.
Po ashtu, Murinjo sulmohet mediatikisht se krijoi më shumë sherre sesa fitoi trofe tek Reali në 3 sezone.
Zhoze besohet të shkojë tek Çelsi këtë verë, ndërsa Ançeloti të ulet në stolin e lënë bosh prej tij.