Murinjo, pak fjalë dhe shumë ironi para Rubinit
MILANO- Hoze Murinjo është paraqitur me statusin e të fyerit dhe me një presion të madh në dukje, në prag të sfidës së të mërkurës kundër Rubin Kazan, decizive për fatet e Interit në Champions League. Portugezi ka refuzuar t’u përgjigjet me argumenta të shumtë pyetjeve të gazetarëve, ndërsa ka mbajtur gjithçka “top-sekret” edhe përsa i përket formacionit. Interi do të luajë të mërkurën ndeshjen më të rëndësishme të fazës në grupe, pasi i duhet të fitojë për t’u kualifikuar, ose të barazojë 0-0 apo 1-1 në rast se Dinamo e Kievit nuk arrin të marrë 3 pikët ndaj Barcelonës. “Komplimentat e mi Rubinit për fitoren e kampionatit. Nuk është turne i lehtë, pasi janë 4-5 skuadra të nivelit të lartë. Nuk kemi frikë nga Rubini, jemi më mirë se ata dhe mendoj se nesër do të fitojmë”, tha Murinjo duke iu përgjigjur një gazetari rus nëse Interi kishte frikë. Për Juventus-Inter, ai nuk bëri asnjë koment, ndërsa i pyetur për formacionin, u përgjigj: “Ju gazetarët jeni të gjithë të zotë të gjeni formacionin para ndeshjes, kur shikoni stërvitjet nga pemët, kur flisni me informatorët tuaj. Por, as ndihmësit e mi nuk e dinë skuadrën në këto momente, e di vetëm unë. Dua të shoh nesër në mëngjes në gazeta nëse jeni të zotët të bëni formacionin, të hyni në kokën time”. Një tjetër çështje është ajo e presionit mbi skuadrën, duke qenë se ndeshja është vërtetë shumë e rëndësishme. “A kam punuar në këtë aspekt? Jo. Skuadra duhet të fitojë. Jo të barazojë. Të fitojë. Dhe kaq”, ishin fjalët e Murinjos. Në fund edhe një ironi për Sandro Macolën, që ka thënë se në rast eliminimi Murinjo do të largohet nga Interi. “Çfarë bën Macola tek Interi? Mos i firmos ai çeqet?”, deklaroi trajneri zikaltër.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)