E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo sulmon arbitrin në tunelin e stadiumit

SPANJE- Zhoze Murinjo hapi një tjetër polemikë në betejën e gjatë me Barcelonën, kur deklaroi pas ndeshjes së Kupës së Mbretit se "të fitosh në Kamp Nou është e pamundur...", referuar kryesisht idesë se skuadra katalanase mbrohet nga arbitrat. U menduar se gjithçka përfundoi aty, me atë frazë që portugezit ia sugjeruan futbollistët, por në të vërtetë, gjërat kanë marrë një rrjedhë tjetër. Murinjo ka pritur në garazhin e stadiumit të Barcelonës arbitrin Tekseira, duke shfryrë ndaj tij inatin e eliminimit, pas një ndeshjeje spektakolare të zhvilluar nga skuadra e tij. "Bravo artist, të pëlqen të shk... profesionistët", i ka ulëruar trajneri i Realit të Madridit gjyqtarit të sfidës. Gjithçka është zbuluar nga gazetarët e "El Mundo Deportivos", të përditshmes katalanase, që është shumë pranë Barcelonës. Murinjo ka qenë i mbështetur pranë makinës së Tekseirës dhe ka nisur të shfryjë ndaj tij një sërë sharjesh e fyerjesh, duke e akuzuar atë se ka dëmtuar Realin e Madridit në çerekfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit.
POLEMIKAT
Reali i Madridit i shkoi shumë pranë kualifikimit të mërkurën në mbrëmje, pasi arriti të barazonte 2-2 me Barcelonën dhe ishte shumë pranë shënimit të golit të tretë. Skuadra e kryeqytetit spanjoll ishte në disavantazh 2-0 në fund të pjesës së parë, por në të dytën arriti një mision thuajse të pamundur, duke barazuar dhe duke e mbyllur skuadrën katalanase në portë. Polemikat e nisura në fushën e lojës, vijuan pas ndeshjes. "Nuk flas për arbitrat, - tha në fillim Murinjo, për të vazhduar më pas: - Dëgjova lojtarët e mi të thoshin se është e pamundur të fitosh këtu. Kam qenë edhe me Çelsin e Interin, jam bindur për një gjë të tillë". E ndërkohë, Serxhio Ramos ishte më i drejtpërdrejtë. "Ka gjëra kundër të cilave nuk mund të luftosh", tha ai. "Erdhëm këtu optimistë dhe të motivuar për të fituar, por e dinim se ishte e vështirë, - deklaroi më tej Murinjo. - Nuk dua të bëj insinuata për gabimet gjyqtarësh, por ju gazetarët kuptoni më shumë nga futbolli, sepse unë nuk lexoj gazeta. Barcelonës i bëj komplimenta vetëm për fitoren në Bernabeu", shtoi ai.
PROBLEMET
Protesta e Realit të Madridit për ndeshjen në "Kamp Nou" lidhet me mosakordimin e tre penalltive, duke nisur nga një prekje me dorë e Buskets pas gjuajtjes me kokë të Pepes, prekja me dorë e Abidal në gjuajtjen e Serxhio Ramos dhe për një shtyrje të Pujol në dëm të Benzema. Por, nuk është kaluar mirë as kartoni i kuq i Serxhio Ramos në fund, duke qenë se faulli nuk dukej aq i rëndë. "I thashë arbitrit të shkonte të festonte me ta", tha kapiteni Iker Kasijas pas ndeshjes.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›