E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi s’është repart operacionesh

Nga Express më 10 gusht 2011 në ora 12:09

Kuvendit të Kosovës i ka mjaftuar që ka miratuar një rezolutë përmes së cilës i ka dhënë mbështetje Qeverisë për veprimet e ndërmarra në veriun e Kosovës më 25 korrik për vënien e rendit dhe ligjit në këtë pjesë. Menjëherë pas asaj seance, ka shkuar në pushim, ndërkaq seanca për ligjet e kërkuara nga Raporti i Progresit është caktuar në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, tek për datën 29 gusht, përkatësisht vetëm dy ditë para afatit të paraparë.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, të mërkurën ka caktuar dy seanca për këtë muaj, njërën më 23 gusht, në të cilën do të shqyrtohen projektligjet që janë në procedurë në lexim të parë dhe tjetrën më 29 gusht, në të cilën do të miratohen 13 projektligje, si pjesë e ligjeve që dalin nga Raporti i Progresit.

“Siç e dini seanca e parë e muajit gusht do të mbahet më datën 23 ku do të shqyrtohen disa nga ligjet që janë në procedurë në lexim të parë dhe u vendos që seanca e radhës për miratimin e 13 ligjeve të cilat janë të obligueshme para 1 shtatorit, për arsye që dihen sepse është obligim i Kuvendit që të miratohen para 1 shtatorit, për Raportin e Progresit, të mbahet më 29 gusht, me qëllim që Kuvendi të arrijë që pjesën e vetë obligative për miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Raportin e Progresit t’i kemi të miratuara”, ka thënë Haliti.

Ai nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka kritikuar Kuvendin pse ka shkuar në pushim në një kohë kur veriu i vendit ishte në krizë.

Haliti e ka quajtur këtë pushim ‘emergjent’, por ka thënë se Kuvendi është i gatshëm kurdo që është nevoja të mblidhet dhe të mbajë seancë.

“Nuk dua ta kritikoj askënd që ka shkuar në pushim, por Kuvendi ka miratuar një rezolutë e cila e mbështet fuqishëm Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendi nuk është ndonjë repart i cili drejton operacione që janë kompetenca të organeve tjera. Në qoftë se ka nevojë, Kuvendi mblidhet sipas kërkesave dhe detyrimeve që ka”, është shprehur Haliti.

Ish kolegu i Halitit nga mandati i kaluar, Naim Maloku, në një prononcim për Kosovapress ka thënë se Kuvendi nuk do duhej të shkonte në pushim, jo vetëm për shkak të situatës në veri, por para së gjithash për shkak të ligjeve që dalin si obligim nga raporti i progresit.

Ai ka thënë se me këtë veprim, Kuvendi i ka bërë dëm vendit, pasi që ligjet nuk presin, kurse pushimi, sipas tij, ka mundur të bëhet edhe më vonë.

“Opozita do duhej të kërkonte që Kuvendi këtë muaj të shkojë në pushime në tetor ose në nëntor apo dhjetor dhe t’i kryej disa obligime ndaj Raportit të Progresit, ndaj BE-së, proceseve në të cilat kalon Kosova”, ka thënë Maloku.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushim nga 1 gushti deri më 19 gusht, përderisa nga drejtuesit e Kuvendit, kjo është konsideruar si një ‘sakrificë’, pasi që është shkurtuar pushimi i ligjvënësve, i cili viteve të kaluara ka qenë një muaj e më shumë. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›