Barrikadat gacë që mund të shndërrohen në zjarr

(E plotësuar) Rreth fatit të barrikadave në veri të Kosovës, do të vendoset ditët në vijim nga shtabet e krizave të katër komunave veriore, kanë paralajmëruar kryetarët paralel të këtyre komunave, si dhe i ashtuquajturi kryeshef i qarkut të Mitrovicës.
“Barrikada në Rudare duhet të jetë gacë që në çdo moment mund të shndërrohet në zjarr nëse dikush tenton, siç ndodhi më 25 korrik, që me dhunë të pushtojë veriun”, ka thënë kryetari i Zveqanit, Dragisa Millovic.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se ai bashkë me kryetarët e veriut, kanë shkuar të martën në orët e vona të natës në Rudare për të biseduar me të pranishmit tek ajo barrikadë, për t’iu thënë se barrikada duhet të mbetet deri në një kohë të pacaktuar, ndërsa do t’i mundësohet automjeteve të KFOR-it të qarkullojnë lirshëm.
Ndërkaq kryetari paralel i Leposaviqit, Branko Ninic tha se në komunën e tij liria e lëvizjes për KFOR-in është garantuar nga dita që kanë filluar bisedimet mes përfaqësuesve serbë dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler.
“Ne do të fillojmë gjatë natës të largojmë barrikadën në Leposavic, që nuk nënkupton se qytetarët nuk duhet të jenë syçelë, sepse duhet të përcjellet me vëmendje situata në pikën kufitare Jarinje, nëse KFOR-i sërish do të tentojë që me helikopterë t’i bartë policët dhe doganierët shqiptarë në këtë pikë”, ka thënë Niniq.
Ai ka shtuar se shtabi i krizave që nga dita e mërkurë do të caktojë emrat e atyre që do të kujdestarojnë nëpër vende të caktuara.
Kurse Radenko Nedelkovic ka porositur barrikaduesit se është e rëndësisë së veçantë që në këto momente serbët të ruajnë unitetin mes vete dhe qetësinë.
“I kam thënë shefit të ri të UNMIK-ut se do të vazhdojmë bisedimet me ndërkombëtarët, nga të cilët do të kërkojmë respektimin e Rezolutës 1244. KFOR-i është vënë në anën e Prishtinës dhe komandanti i këtij misioni ushtarak gjenerali Buhler është shef i doganës së Hashim Thaçit”, tha Nedelkovic.
Sipas tij, KFOR-i ka thyer marrëveshjen të martën kur nuk ka lejuar hyrjen e një automjeti nga Serbia me peshë deri 3.5 tonë në Jarinje, andaj barrikadat duhet të qëndrojnë për të vëzhguar situatën, duke përfshirë këtu edhe respektimin e marrëveshjes së arritur mes zyrtarëve serbë dhe KFOR-it.
Në anën tjetër, sa i përket barrikadës në Zupç, Sllavisa Ristic, kryetar i Zubin Potokut, tha se largimi i kësaj barrikade varet më së paku nga serbët.
“Kjo varet nga institucionet shqiptare dhe bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash KFOR-it, se çfarë do të jenë veprimet e tyre”, është shprehur Ristiq.
Për barrikadat foli edhe kryetari paralel në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq. Sipas tij, barrikadat duhet të qëndrojnë së paku edhe dhjetëra ditë, varësisht nga zhvillimi i situatës në terren. (KP)
Kustunica u “përzije” në Mitrovicë
Përfaqësuesit e partisë opozitare të Serbisë, DSS e Vojislav Kostunicës, kanë bërë që të dështojë marrja e një vendimi në "Kuvendin e Komunave Serbe".
Marko Jakshic ka thënë se me këtë marrëveshje Serbia i tradhton serbët e Kosovës.
Ndërsa, kryetari i komunës paralele të Zvecanit, Slavisa Ristic ka shpjeguar arsyet pse komuna e tij nuk ka marrë pjesë në takimin e sotëm që rezultoi edhe me dështimin e takimit në Leposaviq.
Ai ka thënë se "për marrëveshjen e KFOR-it duhet të deklarohet Kuvendi i Serbisë dhe jo komunat serbe".
Largohen barrikadat te Leposaviqi
Vonë mbrëmë janë larguar barrikadat në Leposaviq në rrugën që shpie te pika kufitare në Jarinje.
Serbët e Leposaviqit dhe Zupçit mbrëmë kanë hequr barrikadat, makinerinë e rëndë dhe trungjet e hedhura që i kanë vënë më 25 korrik pas intervenimit të njësiteve ROSU në pikat kufitare 1 dhe 31. Siç raporton “Blic”, në rrugë kanë mbetur vetëm karriget dhe tendat por jo edhe njerëzit.
Kryetari i komunës paralele të Leposaviqit, Branko Ninic, ka thënë se me largimin e barrikadave po zbatohet marrëveshje që e kanë arritur “qeveria e Serbisë dhe KFOR-i”.
Barrikadat kanë mbetur akoma në Rudar te Zveçanit, ku serbët me orar të caktuar pandërprerë do të rrinë aty.
Aty mbrëmë nuk ka pasur incidente, ndërsa “shtabet e krizës” do të vendosin për veprimet e ardhshme, raporton “Tanjug”, citon “B92”.
Ninic ka thënë se serbët “do të organizojnë kujdestari dhe kështu ta përcjellin në të ardhmen situatën në kalimin në Jarinje”.(Telegrafi)
S’hiqen barrikadat
Seanca për vendimin rreth heqjes së barrikadave në veri të Kosovës, u anulua. Aty nuk u paraqitën fare përfaqësues të Komunës së Zubin Potokut. Mospjesëmarrjen në këtë takim, kryetari i kësaj komune, Sllavisha Ristiq e arsyetoi me faktin se serbët e Kosovës janë të vegjël për të vendosur për çështje të mëdha të popullit serb. Për anulimin e mbledhjes, kanë reaguar zyrtarë të lartë të Serbisë. Rrugët që të çojnë në Jarinje dhe Bërnjakë, vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Lirita Halili
Dita “D”, siç e ka quajtur ditën e takimit, mes kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, i dështoi kryenegociatorit Borislav Stefanovic.
Rrugët do të vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kjo do të ndodhë pasi takimi që është planifikuar të mbahet mes udhëheqësve të katër komunave paralele në veri të Kosovës, ku do të merrej vendim për heqjen e barrikadave, u ndërpre.
E arsyetim i ndërprerjes së takimit, i cili zgjati jo më shumë se 10 minuta, ishte mungesa e përfaqësuesve të Zubin Potokut aty.
Kështu të paktën tha Slavko Stevanovic, kryetar i Kuvendit Komunal të Leposaviqit. Sipas tij, kryetarët e kuvendeve nga Veriu që ishin të pranishëm në seancë, ranë dakord ta shtyjnë këtë mbledhje.
“Kemi vendosur që secila komunë ta mbajë ndaras takimin në të cilin do të diskutohet rreth marrëveshjes”, ka sqaruar Stefanovic, derisa nuk ishte në gjendje të japë një datë apo ditë të saktë, se kur do të mbahet kjo seancë e përbashkët.
Menjëherë pas ndërprerjes së kësaj seance, foli edhe vetë kryetari i Komunës së Leposaviqit, Branko Ninic. Sipas tij, nëse kjo mbledhje nuk do të shtyhej, rrugët tashmë do të ishin zhbllokuar. “Shtabet komunale të krizës në Veri, ishin të vendosur mbi heqjen përfundimtare të barrikadave, të cilat ishin vendosur në rrugët në veri të Kosovës”, ka thënë Ninic. Megjithatë, Branko Ninic nuk e përjashtoi mundësinë që ky shtab në të njëjtën ditë kur u anulua kjo mbledhje, të marrë një vendim mbi këtë çështje gjatë ditës.
Janë të vegjël
Kurse kryetari i Komunës, për të cilën edhe u anulua kjo mbledhje, ka dhënë një arsyetim për mospraninë e tij në seancën e së martës. I ashtuquajturi kryetar i Komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka deklaruar se serbët e Kosovës janë të vegjël për të vendosur për çështje të mëdha të popullit serb. “Jemi të vegjël që të vendosim mbi largimin e barrikadave që janë vendosur në rrugët e Veriut të Kosovës. Për këtë çështje duhet të vendosë Parlamenti i Serbisë”, ka thënë Ristiq. Madje Ristiq ka paralajmëruar se këshilltarët e kësaj komune nuk do të marrin pjesë në asnjë takim në Leposaviq.
Reagon Serbia
Ndërprerja e mbledhjes ka zgjuar reagime të shumta edhe te zyrtarët e lartë të Serbisë. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq e ka cilësuar si “mesazh të keq” ndërprerjen e mbledhjes së përfaqësuesve të serbëve të Veriut, në të cilën do të duhej të flitej për marrëveshjen me KFOR-in dhe heqjen e barrikadave.
“Kjo çka ka ndodhur në Leposaviq jep një mesazh të keq për qytetarët, sidomos të Veriut të Kosovës”, ka thënë ai. “Ajo për çka jemi angazhuar dhe kemi luftuar, ajo që kemi pasur këto ditë, ai uniteti i domosdoshëm, mendoj se është thyer sot”, ka vlerësuar Bogdanovic. Kurse kryenegociatori serb, Borislav Stefanoviq ka thënë se "u krijua artificialisht ideja se serbët do ta pranojnë marrëveshjen dhe do t’i heqin barrikadat".
Pas disa ditë negociatash mes KFOR-it, zyrtarëve të Qeverisë në Prishtinë dhe në Beograd, është arritur pajtueshmëri për një plan 10 pikësh, në pikën e parë të të cilit kërkohet heqja e barrikadave. Ka qenë presidenti serb, Boris Tadiq, ai që u duk se i bindi serbët lokalë për heqjen e barrikadave, pas një takimi të veçantë që pati me përfaqësues të katër komunave në Beograd. Megjithatë, situata në terren mbetet e njëjtë. Banorët serbë po vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë në Jarinje dhe Bërnjakë, aty ku ndodhet pika kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
Gjendja, sipas ekspertëve vendorë
Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës së Mitrovicës ka vlerësuar gjendjen e sigurisë në veri të qetë, por jo edhe stabile. Nënkryetari i Komunës, Riza Haziri tha të martën se aktet e dhunës nga ana e strukturave paralele serbe në Veri, pas operacionit të policisë për vendosjen e kontrollit doganor në pikat kufitare në Veri, kanë demaskuar fytyrën e vërtetë të politikës së Beogradit, që dirigjon me këto grupe. Sipas tij, strukturat e sigurisë dhe autoritetet përgjegjëse duhet të vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë vrarë, djegur dhe shkatërruar në këtë pjesë të Kosovës. Haziri shtoi se rrugët magjistrale në Veri ende mbeten të bllokuara. Ai shfaqi shpresën se me angazhimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të tejkalohet edhe ky problem, në mënyrë që atje të ulen tensionet.