E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muriqani pret 90 mijë vetë në 1 muaj

 

SHKODER - Rreth 90 mijë persona kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Muriqanit për muajin korrik. Një fakt i tillë është bërë publik nga Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit të Qarkut Shkodër. Sipas drejtuesve të kësaj drejtorie, kjo shifër është më e madhja e kalimeve që është bërë që në hapjen e kësaj pike, madje ka kaluar disa herë dhe të dhënat që vijnë nga dogana e Hanit të Hotit. Tashmë, pika e përbashkët e kalimit kufitar të Muriqanit është kthyer në portën kryesore të hyrjes së emigranteve dhe të turistëve kosovarë, ku destinacion është bregdeti shqiptar. Fluksi i hyrje-daljeve përmes kësaj pike është shumë i lartë. Sipas statistikave të bëra publike mësohet se mesatarisht në ditë përpunohen rreth 8 mijë  shtetas që hyjnë në Shqipëri, me rreth 2500 automjete. Të dhënat tregojnë se numrin më të madh të udhëtarëve e përbëjnë emigrantët shqiptarë të trevave të veriut të vendit, të cilët zgjedhin vendlindjen që të kalojnë pushimet verore. Nuk mungojnë edhe turistët e huaj që kanë dëshirë të njihen më shumë me Shqipërinë. Anë pozitive këtë sezon në doganën e Muriqanit është dhe shmangia e radhëve të gjata, për shkak të zbatimit të projektit, ku pala shqiptare dhe malazeze veprojnë në të njëjtën godinë për kontrollin e dokumenteve. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›