E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, biznesmenët prishin rrugën e 4 fshatrave

 

KORÇE - Prefekti i Korçës Koço Bello ka ndërhyrë për të zgjidhur ankesën e banorëve të fshatrave të Devollit të Sipërm për prishjen e rrugës automobilistike që i lidh me qytetin. Katër vite më parë, disa biznesmenë korçarë kanë ndërtuar një ski-pistë buzë rrugës tek kthesa e Malit të Kuq. Por gjatë punimeve ata dëmtuan rrugën që lidh fshatrat Nikolicë, Arrzë, Qytezë dhe Sinicë me Korçën. Prefekti ka përshëndetur përpjekjen e biznesmenëve për ndërtimin e një ski-piste që i shërben argëtimit të të rinjve, por ai ka trajtuar me shqetësim prishjen e rrugës dhe ka kërkuar të dhëna rreth përkatësisë së këtij territori. Me anë të një shkrese, ai i kërkon të dhëna zyrtare Komunës Drenovë, në juridiksionin e së cilës është dëmtuar rruga e mësipërme. “Të merren masat e nevojshme që segmenti i rrugës së prishur të rregullohet sa më parë dhe banorët e asaj zone të thellë malore ta kenë sërish rrugën që i sjell në Korçë”, thuhet në shkresën e prefektit nisur komunës së Drenovës. Sipas Bellos, do të jetë Komuna e Drenovës dhe biznesmenët që kanë kryer investimin e tyre ata që do të kryejnë punimet e nevojshme për ta bërë përsëri rrugën të kalueshme nga Korça në këto fshatra. Segmenti i rrugës së prishur është vetëm 100 metra i gjatë, por për banorët e fshatrave të Devollit të Sipërm ka sjellë shumë vështirësi.                                j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›