![]()
- I lënë në hije gjatë gjithë këtyre ditëve nga mediat amerikane para duelit për titullin e kampionit të botës për peshën gjysmë të rëndë në versionin IBO përballë amerikanit Anntonio Tarver, i konsideruar nga ta si "autsajder" në duelin e tij të radhës, boksieri shqiptar Elvir Muriqi ka thënë fjalët e tij para opinionit amerikan në konferencën për shtyp të zhvilluar të martën në Hartford të Shteteve të Bashkuara, ku do të zhvillohet dueli i 9 qershorit.
"Gjithë jetën time e kam pritur një ndeshje të tillë, një moment të tillë", ka thënë "Kosova Kid". "Gjithmonë kam dashur një kundërshtar të kalibrit të lartë, dhe Tarver është një nga më të mirët e të gjitha kohëve. Sa më i mirë të jetë kundërshtari aq më i mirë është dueli. Nëse askush nuk beson në mua në këtë moment, do të besojnë pas 9 qershorit. Unë asnjëherë nuk kam pasur shansin që të tregoj talentin tim, por kjo gjë do të ndryshojë pas luftës me Tarver. E gjithë bota do ta shohë. Kjo është një mundësi që më është dhënë dhe që sinqerisht nuk do të besoja se do të më vinte ndonjëherë".
28-vjecari Muriqi ka shpjeguar se e ka të qartë se një mundësi e tillë vështirë se mund t'i vijë në rast se nuk e shfrytëzon si duhet duelin me Tarverin, ndërsa ka dhënë edhe një mesazh për kampin e boksierit amerikan që janë shprehur se përballja me Muriqin nuk do të duhej të ishte e vështirë për ish-kampionin e botës në katër versionet e mëdha të boksit profesionist.
"Unë kam ardhur deri këtu në mënyrën më të vështirë. Nuk jam nga ata që kam zhvilluar 300 ndeshje si amator dhe kanë boksuar në olimpiadë. Unë kam qenë një kikboksier që kam zhvilluar 10 mece si amator. Prandaj, e gjithë karriera ime është ndërtuar nga stërvitja e madhe. Në letër unë e di pse njerëzit e Tarverit janë të kënaqur në luftën me mua. Në këtë kontekst ata nuk kanë gabuar. Por, kur të fillojë meci do të jetë një histori krejt tjetër dhe ata do ta shohin se cfarë gabimi të madh kanë bërë", e ka mbyllur fjalën e tij Muriqi.
Ndërkohë, kundërshtari i tij, Antonio Tarver, është treguar shumë jomodest gjatë kësaj konference, duke mos folur pothuajse asnjë fjalë për kundërshtarin dhe duelin e radhës, por duke kujtuar të pranishmit për karrierën dhe sukseset e tij.
"Jam në kapitullin e fundit të karrierës sime", ka thënë Tarver. "Sidomos nëse merret parasysh cfarë kam bërë. Kam arritur shumë dhe i kam bërë të gjitha. Me këtë dua që të rikthej respektin dhe të tregoj se jam një nga kampionët më të mëdhenj të kategorisë gjysmë të rëndë në të gjitha kohët", ka shtuar Tarver, pa harruar të përmendë para gazetarëve se ka mposhtur të madhin Roy Jones dhe ka xhiruar filmin "Rocky Balboa".
Dueli i 9 qershorit do të jetë lufta e parë e Elvir Muriqit për një brez kampioni, ndërsa aktualisht ka një bilanc prej 34 fitoresh dhe 3 humbjesh në ringun profesionist. Në vitin 2004 ai ishte i 11-ti në renditjen e më të mirëve në versionin WBC, por humbjet aksidentale nga Danny Santiago dhe Oleksandr Garashchenko, i kishin prishur shumë punë.
Aktualisht ai është në mesin e 50 boksierëve më të mirë të botës në kategorinë e tij.
Liridon Iberdemaj