Muriqi prag "divorci" nga "Star Boxing"
Elvir Muriqi është fare pranë "divorcit" nga kompania "Star Boxing", e cila është promotore e dueleve të tij. Boksieri, i njohur ndryshe me nofkën "Kosovo Kid", po vazhdon të stërvitet rregullisht, pavarësisht se përballja e tij me Klinton Uds dështoi, pasi anglezi preferoi të ndeshej me francezin Riçard Kanfuah. Kjo bëri që boksieri më i suksesshëm shqiptar i momentit të mendojë edhe për alternativa të tjera. "Shumë shpejt do të shkoj në zyrat e ‘Star Boxin‘ e, nëse nuk më organizojnë sa më shpejt një duel, do të kërkoj që të prish kontratën që kam me ta, si promotorë", tha Muriqi për "boxalb.com". Boksieri zbuloi se pikërisht kontrata që me kompaninë e promotorit Xho DiGuardia e ka detyruar që në tetë muajt e fundit të refuzojë disa oferta mjaft të mira për të hipur në ring.