E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galiani, "shuplakë" Milanit pas humbjes

Edhe pse trajneri Ançeloti ka synuar të zvogëlojë përmasat e polemikave, që kanë shpërthyer pas humbjes së Milanit 2-1 në Tiranë, ndaj 23 herë kampionëve të Shqipërisë, është pikërisht zëvendëspresidenti i kuqezinjve italianë, Adriano Galiani, ai i cili nuk e ka përtypur këtë paraqitje të skuadrës së tij, duke reaguar ashpër më pas. "Vërtet miqësoret shërbejnë për eksperimente dhe verifikime, por Milani, kampion i botës, sjell me vete famën, por edhe nderin e tij", nënvizoi Galiani për gazetën italiane "Corriere dello Sport". Kjo ishte e gjashta humbje radhazi në miqësore, e para në Shqipëri, ku vinte pikërisht për herë të parë. Pas 0-5 me Çelsin, 0-2 në Lugano, vjen edhe 1-2 në Tiranë, madje me golin e nderit shënuar vetëm në minutën e fundit. Milani "miqësor" nuk ka aspak sukses në verë-vjeshtë 2008.

ANÇELOTI - Trajneri Ançeloti ka synuar të minimizojë pasojat, duke ironizuar disi rreth faktit që skuadra e tij u mund nga një ekip modest, ashtu siç mund të konsiderohet Tirana në arenën e futbollit të madh, ku Milani mban nofkën e më të fortit të botës për klube. Të gjithë e prisnin një Milan të pamotivuar për një ndeshje të tillë, por humbja gjithsesi lë shije të hidhur. Megjithatë, Ançeloti preferon të kapet pas anës së mirë të ndeshjes, duke e konsideruar atë me përçmim si një stërvitje. "Ishte një stërvitje e mirë, ku munda të vlerësoj pozitivisht paraqitjen e disa lojtarëve, sqaroi Ançeloti. Pa dyshim, Ronaldinjo po përmirësohet shumë, por pashë edhe paraqitjen e Nestës dhe Inzagit. Një humbje si ajo e Luganos? Jo, unë pashë dëshirën për të reaguar dhe një farë grinte, na mungoi vetëm diçka në fazën konkluzive".

SLISHKOVIÇ - Tej mase i ngazëllyer ka qenë trajneri i Tiranës, Blazhe Slishkoviç. Fitorja e së martës në mbrëmje, në "Qemal Stafa", ndaj Milanin, do të hyjë jo vetëm në historinë e klubit bardheblu, por edhe në CV-në e teknikut boshnjako-kroat të Tiranës. "Mund të jem ndoshta i vetmi trajner në Bosnje, i cili ka mundur Milanin, ekipin më të madh të botës, thotë Slishkoviç, i cili e ka të vështirë edhe vetë atë çfarë ka ndodhur. Jam krenar për veten, për futbollistët, për klubin dhe presidentin e ortakët e tij, që na dhanë mundësinë të tregojmë se te Tirana ka lojtarë cilësorë". Por lajmi në Bosnje dhe në Kroaci ka mbërritur që mbrëmjen e të martës. "Jutarnji Listi" nuk e kaloi pa një artikull fitoren e kroato-boshnjakut Blazhe Slishkoviç ndaj Karlo Ançelotit. "Futbollistët e Tiranës që i udhëheq Bllazh "Baka" Slishkoviç mundën 2-1 Milanin në miqësore me qëllime humanitare", shkroi mes të tjerave gazeta zagrebase, që përmendi edhe shënuesit e golave dhe kthimin në fushë të Alesandro Nestës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›