E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murphy: SHBA, partnere e fuqishme e Kosovës

Zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Michael Murphy, ka thënë sot se marrëdhëniet dhe partneriteti i SHBA-së me Kosovën nuk janë dëmtuar nga raporti i Dick Martyt, i cili akuzon disa ish-udhëheqës të UÇK-së dhe kryeministrin Thaçi për veprimtari kriminale. Nga Express më 21 dhjetor 2010 në ora 16:39

Raporti i Dick Martyt nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e mira dhe partneritetin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tashmë me Kosovën, ka deklaruar zëvendës-ambasadori amerikan në Prishtinë, Michael Murphy.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një vizite në Graçanicë, në ceremoninë e diplomimit të Ekipit për Veprim në Mbrojtje të Komuniteteve.

Murphy ka thënë se Departamenti i Shtetit tashmë e ka bërë të njohur qëndrimin amerikan në lidhje me raportin e raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili akuzon disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe vetë kryeministrin Hashim Thaçi për aktivitete kriminale dhe trafik organesh në Kosovë.

“Departamenti amerikan i shtetit e ka bërë shumë të qartë kur ka thënë se nuk ka ndikime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. SHBA-të janë partnere të fuqishme të Kosovës”, ka thënë zëvendës-ambasadori Michael Murphy.

“Gjithashtu mendoj se e kemi bërë të qartë se, nëse ka ndonjë provë kredibile, ashtu siç ka thënë edhe EULEX-i dhe të tjerët, zoti Marty duhet t’ua paraqesë ato prova autoriteteve përgjegjëse për hetime të mëtutjeshme”, ka thënë zëvendës-ambasadori amerikan.

“Unë kam qenë shumë i kënaqur kur kam dëgjuar kryeministrin të thotë se qeveria e tij dhe populli i Kosovës do të bashkëpunojnë me hetimet e këtilla”, ka thënë ai.

Zëvendës-ambasadori amerikan e ka përjashtuar mundësinë që raporti i Martyt të ndikojë në imazhin dhe raportet e Kosovës e të popullit të saj me Shtetet e Bashkuara.

“Marrëdhëniet tona me qeverinë dhe popullin e Kosovës janë po aq të fuqishme sa kanë qenë gjithmonë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë fuqishëm në ecjen përpara. Kemi synimet e njëjta për Kosovën, sikur që kanë edhe populli dhe Qeveria e Kosovës - e ato janë të shohim një Kosovë prosperuese, demokratike dhe shumëkombëshe, të integruar në familjen euroatlantike. Dhe, kjo nuk ka ndryshuar”, ka thënë zëvendës-ambasadori amerikan në Prishtinë, Michael Murphy. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›