E Hënë, 2 Nëntor 2026

Murtezani: Çdo lëvizje e Shqipërisë drejt BE-së mbart me vete edhe rajonin

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Nisi sot në Tiranë, konferenca 3-ditore e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë Diplo 2025 me temë “Shqipëria 2030: në Europë, e ndërlidhur me botën”.

Ministri për Çështjet Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, i ftuar në konferencë në fjalën e tij u shpreh se integrimi evropian i Shqipërisë ka ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë rajonin dhe në veçanti tek shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.

Murtezani theksoi se shqiptarët historikisht kanë ruajtur orientimin properëndimor dhe asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim rrugën drejt integrimit.

“Çdo lëvizje drejt BE-së e Shqipërisë mbart me vete edhe rajonin në përgjithësi, e në veçanti gjithë shqiptarët në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipërinë e bën një faktor politik rajonal. Shqipëria ka filluar një kapitull të ri dhe Shqipëria bashkë me shqiptarët në rajon ka nisur një etapë të re. Shqiptarët dhe askush tjetër në rajon prej tek rilindësit e tek realiteti jonë politik, nuk kanë krijuar ndonjë paradigmë tjetër politike aq të fuqishme aq unifikuese saqë të jemi pjesë integrale e Evropës dhe vendin e kemi në Evropë”, tha ai.

“Gjatë gjithë problemeve të elitave politike në kohë të ndryshme në asnjë moment shqiptarët, në veçanti në rajon, nuk e kanë vendosur në pikëpyetje orientimin drejt Bashkimit Evropian, për arsye se anëtarësimi në BE nuk përcaktohet vetëm si orientim gjeostrategjik, por si një bashkëudhëtim drejt vlerave të përbashkëta me BE-në”, tha Murtezani.

Sipas tij, në Tiranë, Shkup e Prishtinë, qeveritë kanë prioritet absolut anëtarësimin në BE dhe po punojnë në maksimumin e kapaciteteve për realizimin e këtij objektivi.

“Duhet thënë se edhe në Shkup, ashtu si dhe në Tiranë, por edhe në Prishtinë, kemi qeveri të cilat orientimin properëndimor apo integrimin në Bashkimin Evropian e kanë prioritet absolut dhe në kuadër të gjitha mundësive të tyre, dhe në kapacitetin maksimal, mundohen që të bëjnë implementimin ose realizmin e ëndrrës evropiane”, u shpreh Murtezani.

Ai shtoi se vendet e rajonit do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian më herët përmes Planit të Rritjes së BE-së, pasi sipas tij, “sjellim Evropën shumë pranë qytetarëve tanë dhe në konceptin e negocimit”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›