Remzi Hoxha, Klosi, Shamata e Agim Shehu thirren në gjyq
TIRANË- Procesi gjyqësor për zhdukjen pa gjurmë të Remzi Hoxhës ka hyrë në fazën e “nxehtë” të marrjes në pyetje të dëshmitarëve VIP. Mëngjesin e djeshëm, togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pas dëgjimit të tetë dëshmitarëve të radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-shikasve Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro vendosi me kërkesë të prokurorit Xhevat Hana të thërresë në cilësinë e dëshmitarëve ish-zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore gjatë kohës 1995-2003 në vend. Trupi gjykues ka lexuar listën e dëshmitarëve që duhet të paraqiten më 18 nëntor, listë kjo që kryesohej nga ish-kreu i SHIK-ut, i vdekur pak ditë më parë, Bashkim Gazidede. Në pritje të certifikatës së vdekjes, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të lexojë dëshminë e dhënë në Prokurori të Bashkim Gazidedes në të gjallë të vet, për zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Të tjerë dëshmitarë në këtë proces gjyqësor do të jenë Fatos Klosi, ish-ministri i Brendshëm ’96-’97, Halit Shamata dhe ish-zv.ministri Agim Shehu. Sipas gjykatës, kësaj liste i shtohen dhe dëshmitarët që nuk janë paraqitur në seancën e djeshme, që janë rreth katër persona, ish-efektivë të SHIK-ut dhe ish-punëtorë të fabrikës së duraluminit të shtetasit Remzi Hoxha, i zhdukur që nga mesdita e 21 tetorit 1995. “Me kërkesë të prokurorisë, dëshmitarëve të sipërcituar do t’u dërgohet fletë-thirrja për t’u paraqitur në seancën e radhës, të datës 18 nëntor, në orën 9:00, ku do të japin shpjegime në lidhje me dijeninë që ata kanë për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe biznesmenit kosovar Remzi Hoxha”,-tha kryesuesi i togave të zeza, gjyqtari Xhelal Elezi. Sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se në listën e gjatë të dëshmitarëve do të pyetën edhe 34 persona, të cilët kanë dijeni apo kanë marrë pjesë në rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha.
Mes dëshmitarëve të prokurorisë janë një numër i madh ish-punonjësish të SHIK-ut në vitet 1995-2003, ish-efektivë të policisë së kësaj kohe, ish-roje dhe punonjës të ndërtesës së SHIK-ut në Vain të Lezhës, familjarë të viktimave e ish-punonjës të firmës së Remzi Hoxhës. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pritet t’i kërkohet autoriteteve holandeze që të mundësojnë marrjen në pyetje me anë të video- konferencës së shtetasit Avdyl Loshaj. Kjo dëshmi konsiderohet si shumë e rëndësishme për identifikimin e autorëve që morën peng së bashku me Remzi Hoxhën edhe Ziso Kristopullin e Avdyl Loshajn. Njëri prej të rrëmbyeve, Ziso Kristopulli, ka dëshmuar para gjykatës, duke treguar gjymtimet dhe dhunën disa ditore, nën akuzat e komplotit shtetëror, kontributin e tyre për të mos miratuar Kushtetutën e vitit 1994, përgatitjen e atentatit kundër ish-ministrit të Rendit, Agron Musaraj, dhe përgatitjen e një lufte civile në Shqipëri. Sipas prokurorisë, tre të pandehurit Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro akuzohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë rrëmbyer dhe torturuar për disa ditë me radhë, shtetasit Ziso Kristopuli e Avdyl Loshaj, ndërsa biznesmeni kosovar dyshohet se ka mbetur i vdekur nga dhuna e punonjësve të SHIK-ut në Vain të Lezhës.