“Hakmarrja për Drejtësi”, dy burgime përjetë dhe 174 vjet burg për 9 të pandehurit
Vendimi
Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur ditën e djeshme vendimin ndaj të pandehurve Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Pasho Novruzaj, Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate, të cilët akuzohen si pjesëtarë të bandës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. Sipas vendimit të djeshëm të kësaj gjykate, 9 të pandehurit janë shpallur fajtorë për një sërë veprash penale, si vrasja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vrasja e Genci Sinës, shoferit të ish-kryeprokurorit, Theodhori Sollaku, vjedhja e VEFA-s dhe Gjallicës, rrëmbimi i një të mituri në qytetin e Vlorës, akti terrorist pranë VEFA-s në Tiranë dhe një sërë vrasjesh dhe grabitjesh të tjera. Për këtë arsye, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka dënuar të akuzuarit si pjesëtarë të bandës “Hakmarrja për Drejtësi” me dy burgime të përjetshme, si dhe me 174 vjet burg. Kështu, sipas vendimit të djeshëm, kreu i kësaj organizate kriminale, Orik Shyti, ndaj të cilit rëndonin plot 17 akuza, është dënuar me 3 burgime të përjetshme, por në bashkim të dënimeve ai është dënuar vetëm me një burgim të përjetshëm. Me burgim të përjetshëm është dënuar edhe numri dy i “Hakmarrjes për Drejtësi”, Altin Arapi. Ndërkohë, në vendimin e saj, gjykata është treguar e ashpër ndaj të pandehurve të tjerë, duke i dënuar ata edhe me disa vite më shumë nga sa kishte kërkuar organi i akuzës. Sipas këtij vendimi, Leart dhe Roland Shyti janë dënuar respektivisht me 24 dhe 25 vjet burg, ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Gentian Caka, Kreshnik Spahiu dhe Dritan Hate, gjykata i ka dënuar respektivisht me 25, 24 dhe 23 vjet burg. Ndërkohë, dy vëllezërit, Nikolin Novruzaj dhe Pasho Novruzaj, të cilët gjenden si azilantë në Holandë, gjykata i ka dënuar me nga 24 dhe 22 vjet burg, ndërsa i fundit prej të pandehurve, Gëzim Gjoni, është dënuar me 10 vjet burg.
Akuzat
Vetëm një seancë më parë, prokurorët e kësaj çështjeje, Eneid Nakuçi dhe Genci Qano, radhitën akuzat që rëndojnë ndaj të pandehurve, si vrasja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vrasja e Genci Sinës, shoferit të ish-kryeprokurorit, Theodhori Sollaku, vjedhja e VEFA-s dhe Gjallicës, rrëmbimi i një të mituri në qytetin e Vlorës, akti terrorist pranë VEFA-s në Tiranë dhe një sërë vrasjesh dhe grabitjesh të tjera. “Hakmarrja për Drejtësi”, e cila cilësohet si një nga organizatat më të fuqishme kriminale që kanë ekzistuar në vendin tonë, mendohet se i ka fillesat e saj që prej vitit 1992. Mbi këtë organizatë rëndojnë një numër i madh veprash kriminale, ndërsa në bankën e të akuzuarve ndodhen 9 të dyshuar, nga të cilët nuk ndodhet asnjë prej tyre në qeli. Kështu, Altin Arapi, mbi të cilin rëndojnë plot 17 akuza, më e fundit ajo e vrasjes së Genci Sinës, shoferit të familjes së ish-kryeprokurorit, Theodhori Sollaku, ka fituar azil politik në Belgjikë, vend në të cilin edhe u arrestua gjatë vitit 2004. Ndërkohë, edhe dy prej krerëve kryesorë të kësaj organizate, Orik Shyti dhe Kreshnik Spahiu, kanë fituar strehim politik në Zvicër, vend në të cilin u prangosën më 6 shkurt 2004, ndërsa dy vëllezërit, Nikolin e Pasho Novruzaj, kanë fituar azil politik në Holandë. Dy prej të pandehurve, Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate, të cilët u arrestuan pas vitit 2001, kanë fituar lirinë, pasi kanë tejkaluar afatet e paraburgimit, por me vendimin e djeshëm do të rikthehen sërish në burg, ndërsa Roland e Leart Shyti, si dhe Gentian Caka janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.