Mire se vini
Petraq Zoto
Pasi përshkuam pjesën lindore të Maqedonisë, mbërritëm te Hani i Elezit, në doganën e shtetit më të ri të botës. Një oficer i policisë kosovare hyri në autobus dhe na përshëndeti buzagaz: “Mirë se vini!”. Gëzueshëm iu përgjigjëm dhe ne. Ndodhesh në një shtet tjetër dhe të flasin në gjuhën tënde. Është një gjë krejt e veçantë e prekëse, ndihesh mirë dhe vetiu sjell ndër mend historinë e gjatë e të mundimshme për t’ia arritur kësaj. E drejta vonon, por nuk mungon… Turi ynë në Kosovë u iniciua nga Irfan Lulo, kryetari tepër aktiv i shoqatës “Devolli” me qendër në Tiranë. Nisemi sërish, tashmë përmes Grykës së Kaçanikut plot përjetime trimërore. Pas pak autobusi bie në heshtje, secili e shijon në mënyrën e vet dukjen e ëndshme që u shpaloset syve. Befasia ndihet ca më tepër, ngase tek ne Kosova ende përfytyrohet si një zgjatim malor i Shqipërisë së Veriut Fushë-Kosova të mrekullon me horizontin e njëtrajtshëm, fushë e fushë dhe anash kodrina të buta, tutje ndonjë majë mali. Krejt e sheshtë, rruga nuk ka asnjë kthesë, jo më të përpjeta e të tatëpjeta. Fushë edhe Rrafshi i Dukagjinit, po ca më e vogël. Ndërmjet dy fushave një varg kodrinash të blerta, ndër to dhe Drenica, ku më kot rrekesh të shohësh ndonjë kala të pashkelshme natyrore për bëmat e dëgjuara të Shote e Azem Galicës...
U ndalëm në hotelin “Rozafa” të Suha Rekës. Sapo kishte filluar ndeshja e radhës e kampionatit evropian. Secili porositi diçka për të pirë dhe ia qepëm sytë ekranit. Kur e thërritëm kamerierin, na tha se të gjitha ishin të paguara, qeraste pronari Ibrahim Berisha dhe djemtë.
xxx
Nëse flitet për fisnikëri të qyteteve, i tillë është Prizreni. Ai të kujton Korçën e Shkodrën, me ndryshimin se e ruan më së miri traditën tregtuese të dyqaneve. Pronarë e shitës lanin trotuaret e ujitnin pemët para dyqaneve. Qyteti të mbreson me mirëmbajtjen e vet, lumi i kthjellët malor ia shton freskinë. Si papritur u gjendëm te muzeu historik i Lidhjes së Prizrenit. Shtëpi e hershme, oborri me plloça, një shatërvan i vogël dhe uji rrjedh e rrjedh. Faqja ballore e godinës tejetej me foto të pjesëmarrësve në tubimin historik. Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi… Më ngelën sytë te fytyra aq shprehëse e Abdyl Frashërit… “Abdyl, shite pasurinë, | një barrë flori. | Vajte te Bismarku brenda, | ndenje në skami. | Ç’të pijen edhe të thanë: |-Djalë, nga je ti? |-Unë jam nga Shqipëria, | Avdul Frashëri, | ju lutem, shikoni mirë, | ju për Shqipëri, | mos e bëni copa-copa, | sikur s’ka njeri…”
Të ngelësh në këngë sikurse ai, është thesari më i vyer që njeriu lë pas. Përmallesh e mediton. Po, thua me vete, kemi histori, kemi traditë patriotike, madje dhe organizative. Sikur të ishin pranuar kërkesat e asaj Lidhjeje, Shqipëria do bëhej kohë më parë dhe ne do ishim ndryshe, shumë më mirë…
Majëmalet e Bjeshkëve të Nëmura ende dremiten nën shtjellat mjegullore. Tej, në një grykëmali, mjegulla po ikën si e ndjekur, zë e hapet një copëz qiell dhe fap, së larti lëshohet një fashë drite si karrocë rrezeartë e engjëjve të shpresës e mirësisë. Kësaj treve i përket edhe Pjetër Bogdani, të cilin Rugova e vlerëson bindshëm si shkrimtarin më të madh të letërsisë së vjetër shqipe. Pastaj ky emërtimi Rrafshi i Dukagjinit... Kohë më parë, kushedi kur, zotërues i gjithë zonës paska qenë një shqiptar me emrin Gjin. Them shqiptar, pasi e dëshmon vetë emri. Memoria popullore ia bashkoi emrin me titullin e fisnikërisë Dukë dhe ashtu, të bashkëngjitur, i përcolli brez pas brezi…
Gjatë rrugës për në Gjakovë dy rreshta me ngrehina të reja. I ndërtoi Millosheviçi për të sjellë serbë nga Kroacia, tashmë s’ka mbetur asnjë syresh. Ndërkohë ecim në një tunel me pemë të mëdha arre. Askush s’e di kush i mbolli, po cilido mund të vjelë. Afër Pejës sheh të njëjtën gjë, po me pemë mane. Ç’njerëz bamirës e shpirtmëdhenj këta mbjellës anonimë! Sipër rrugës zbardhon fshati italian i ushtarëve të KFOR-it. Pak më tej ai i spanjollëve. Makinat e KFOR-it i has kudo. Shoqëruesi ynë thotë se në bazën e madhe amerikane janë punësuar mjaft kosovarë, çka ndikon dhe në shtimin e popullsisë në Ferizaj e Gilan.
Fushë-Kosova ishte mbjellë me grurë e foragjere, Rrafshi i Dukagjinit mozaik kulturash bujqësore, ndër to zarzavate nga më të ndryshmet. Në shpatet e maleve gjallojnë vreshtat, qarkuar me gjerdhe natyrore, pemë tumbake. Kosova eksporton zarzavate në Ballkan, ndërsa vera e Suha Rekës ka shkuar gjer në Spanjë!… Nuk sheh më shtëpi të djegura a të rrënuara, i kanë ringritur të gjitha. Ndërtimet përbëjnë risinë e Kosovës së sotme. Në periferinë e Prizrenit janë duke u ndërtuar dy blloqe me vila trikatshe. Po i ngrenë emigrantët. Ndërtimet tregojnë se vendi ka të ardhme, ashtu dhe dëshira e emigrantëve për t’u kthyer. Gjysma e popullsisë jeton në qytet, vështirë të dallosh ku mbaron qyteti e ku nis fshati dhe s’bëhet fjalë për zona tejet të varfra apo me diferenca të ndjeshme. Një tjetër dukuri kjo, resurs i madh për një zhvillim të shpejtë.
Dikush na e shtiri në vesh të drekonim në Istog, te rezervati “Trofta”. Meti mori një taksi për 40 euro dhe me të i parapriu autobusit. Diku taksisti pyeti ç’vizitorë ishim. Janë me prejardhje nga Devolli, i shpjegoi tjetri. Taksisti Skënder ngriti supet. Vendlindja e Dritëro Agollit, ngulmoi shoqëruesi. Dritëroi më pëlqen, tha taksisti dhe nuk pranoi asnjë euro për shërbimin që kreu.
Po ç’është “Trofta”? Rezervate të shumtë lakadredhas, njëri me peshq mingolecë që mezi dallohen, tjetri me trofta të rritura, diku më të vogla… Venë e vijnë troftat në madhësi të ndryshme nën hijen e pishave bleroshe, midis të cilave ngrihen tenda të bukura e radhiten tryeza me mbulesa të bardha. Dhe lëndinëza me bar e lule, kudo lule. Uji i freskët derdhet pareshtur me shushurimë përmjet një sërë tubash si çezma të mëdha… Në ballinën e godinës kryesore një foto e Bill Klintonit dhe fjalët e tij: “We belive in Albanian People”. Kur po hynim ne, po dilte kongresmeni amerikan Eliot Engel. Sapo u ulëm, erdhi kamerieri. Kishte mjaft klientë, si ia dilnin? Si të jenë dy, si treqind u shërbehet menjëherë, tha ai. Kështu është menduar e kështu funksionon. Dhe e provuam vetë, shërbim i mirë, gatim i shkëlqyer, verëra të zgjedhura. Aty çdo gjë është e bukur dhe e hijshme dhe ndrit nga pastërtia, një investim për së mbari.
* * *
Në mëngjesin tjetër ishim në Prishtinë. E diel, 15 qershor. Qyteti krejt i qetë dhe i pastër e i freskët, lëvizje fare të pakta. Gjithkush e gjithçka në pushim, hapur ishin vetëm klubet e restorantet. Një miku im shkrimtar m’u përgjigj në celular nga Istogu, ku kalonte fundjavën me familjen. Qendra e Prishtinës është më me densitet se ajo e Tiranës, ta ka ënda shëtitjen mëngjesore, sikurse kafen në një barlulishte. Rrugë e ndërtesa, të cilat i kemi parë shpesh në TV. Kulla e re e qelqtë qenka rezidencë e Kryeministrisë. Qeveria e shtetit të ri punon kështu në ngrehinën më elegante. Para saj shtatorja e Skënderbeut, vendosur në një mjedis modern dhe fare pranë një kënd që të sjell ndër mend kohën e tij. M’u përballë Teatri Kombëtar. Atë ditë shfaqej “Yuuuuh”!
Ecin paralel dy rrugë të gjera, në anë të tyre spikat vijëzimi i posaçëm për autobusët urbanë. Sapo dikush u afrohet vijave të bardha, makinat ndalojnë e presin pa kurrfarë bezdie. Po qytetarinë e vëren gjithkund. Ndërsa po e pyesja kamerierin se ku e si mund të bëja një telefonatë, ndërhyri me mirësjellje një burrë që ishte ulur pranë nesh. Doni të thirrni kënd? Dhe hapi celularin e më pyeti ç’numër të formonte. Kur po shihnim afishen e teatrit, na u afruan dy punonjës të gatshëm për çdo ndihmesë. Pak më tutje na takoi një burrë në moshë mesatare. Jeni nga Shqipëria, mirë se keni ardhur! Dhe vijoi me ne një bisedë të ngrohtë, hera-herës ngulmonte të hynim në ndonjë lokal. Quhej Myslim, emigrant në Zvicër. Ndiente kënaqësi teksa na tregoi se në Festivalin Evropian nga familja e tij u dërguan 7 sms për këngëtaren shqiptare. Ai ka tre fëmijë dhe mendon të kthehen së shpejti.
Që larg na ndjell një grup kupolash si të qelqta, anash qarkuar me rrjeta metalike. Është Biblioteka Kombëtare në mes të kompleksit universitar. Një pedagog nxitoi e na erdhi pranë. Me çka mund t’ju ndihmoj? Si dhe të tjerë më parë, na ftoi të shkonim në ndonjë klub. Më mirë ecim, i thamë. Duke biseduar arritëm para hotelit “Grand”. Pedagogu Ymer i mbajti këmbët. Këtu protestonim shpesh, tha. Në një tubim pati më shumë se njëqind mijë pjesëmarrës. Një polic serb mbërtheu një djalë dhe e goditi në fytyrë. Nga vrulli goditës i ra përtokë kapela. Merre, i tha djalit. Djali nuk iu bind. Merre e ma jep, e urdhëroi përsëri. Djali hiç. Atëherë polici e goditi me grushte e me shkelma, i binte ku mundte… Kongresmeni amerikan Bob Doll u ndodh në Prishtinë dhe pa gjithçka nga ballkoni i hotelit. Dëshmia e tij për sjelljen naziste të serbëve pati jehonë…
* * *
Toponimisë patriotike kosovare iu shtua një kapitull i ri, ai i UÇK-së dhe luftës së fundit që solli NATO-n e lirinë. Prekazi e Adem Jashari një e të pandarë, Raçaku sinonim i një masakre çnjerëzore, Pashtriku zonë e betejave të pamundshme të hordhive serbe, të cilët, si ai kryeneçi që s’ka ç’i bën kalit e i bie samarit, nëpërmjet bombardimeve mizore i mbollën me mina të dy anët e kufirit. Në varrezën e Ademit dhe 55 dëshmorëve të tjerë zotëron një heshtje që flet shumë. Betejë e tejzgjatur, së fundi tri ditë-net pa ndërprerje. Serbët përdorën gjithçka, deri dhe artileri e granata. Është tronditëse të shohësh një fotografi me 16 fëmijë, nga të cilët shpëtuan vetëm katër. Në një dhomë u vranë 13 vetë, mbeti gjallë Besarta 11-vjeçare. Baba na tha të mos tutemi, tregon ajo. Vetë ai ia mori këngës. Ç’kënge? - Për mëmëdhenë…
Pakëz më parë më ishte sjellë ndër mend shkrimtari patriot Mihal Grameno. Ma kujtoi një fotografi e Adem Jasharit me mjekër e mustaqe, njësoj si Mihali e Çerçizi dikur. A mund ta merrte me mend patrioti korçar që kënga e tij do të shtegtonte nëpër mote, deri dhe në Prekazin e largët?… Heroi i madh i pati bërë fotot para Muzeut Kombëtar në Tiranë. Një rastësi apo e parandiente se edhe ai do të hynte në kujtesën e kombit? E pyeta Besartën pse pati lënë mjekër axha i saj. Që të mos e pikaste hasmi, tha ajo. Shpjegim i thjeshtë e i qartë, luftëtarët e lirisë përherë të ngjashëm, veprojnë e sillen ngjashëm…
Secili kryeulur në atë vend tashmë të shenjtë pelegrinazhi. Pse e bënë atë barbari çnjerëzore serbët? Sepse pushka e Jasharëve ishte fillimi i fundit të tyre. Ademi qe pararendës i asaj që do të vinte së shpejti, prandaj dhe i pazakontë, hero i heronjve. Në njëvjetorin e gjëmës së përbindshme, u bë dasma e djalit të Rifat Jasharit. Atë ditë krejt lugina u mbush me dasmorë… Tejet pikante dhe përshtypjet e vizitorëve. Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallë herë në jetën time, shkruan Kadareja. Populli që ka familje të këtilla si familja Jasharaj, nuk ka pse brengoset për ardhmërinë e tij, thonë nxënësit e shkollës “Faik Konica”. Sa herë na kaplon dobësia, duhet të marrim fuqi nga Dheu i Drerëve, shënon një vizitor anonim…
Ndërkohë, po punohej për një kompleks memorial. Grupi skulptural i është besuar skulptorit tonë të shquar Mumtaz Dhrami. Që tani shndrisin kolona ndriçuese si statuja, secila me nga 56 llamba, në nderim të dëshmorëve të parë të Pavarësisë.
* * *
Në të hyrë të Gjakovës bëra habi me një reklamë të madhe “Devolli Princ”. Ç’ishte ky princ devolli në Gjakovë?! Irfani e paskësh njohur pronarin. Reklama i përket familjes së Ibrahimit nga Kapshtica. Ibrahimi nuk e kishte mësuar kurrë se përse gjyshi a stërgjyshi i tij e la fshatin e largët e u zhvendos në Gjakovë... Misteri ta nxit përfytyrimin dhe ashtu reklama e beftë bëhet edhe më interesante. Punëtor e nikoqir, devolliu ka krijuar biznesin e përpunimit të drurit dhe atë të sfungjerit, pastaj dhe të kafesë. Devolli Princ kafe e solli dhe në Tiranë…
Devolli ka një princ të letrave, Dritëroin. Paska dhe një princ të biznesit. Me nisma interesante si rrugëtimi ynë dhe të tjera të ngjashme, vetë shoqata “Devolli” mëton të jetë princeshë ndër simotrat e saj.
Qershor 2008