E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: GAP, kthjelluni vet ose ju kthjell ligji

Raporti që u bë për komunën të cilën e udhëheq, është raport politik. Madje pretendon se ai është veçse një raport përshkrues e jo argumentuar.

Ky është vlerësimi që Qemajl Mustafa, kryetari i Komunës së Gjilanit, i ka bërë raportit të institutit GAP i cili ka publikuar të gjitha mangësitë, që sipas tyre ka përcjell komunën e Mustafës për një vit të tërë.

Në një intervistë për rajonipress, Mustafa tha se raporti nuk është asgjë tjetër, përveç një pamflete propaganduese dhe asnjë pjesë e raportit për çudi nuk e ka befasuar kryetarin.

“Përmbajtja e tij plotësisht e zezë për komunën e Gjilanit është bërë sepse tashmë jemi në një periudhë parazgjedhore dhe është fare ‘normale’ për ambientin kosovar e ballkanik që disa nga mediet e sidomos OJQ-të dhe disa portale të themeluara brenda natës në vitet elektorale dhe për nevoja elektorale të vihen në funksion të pushteteve ekonomike e politike për ta ‘kaluar gardhin’ në këtë proces të afërt zgjedhor”, ka thënë Mustafa.

“Si i tillë mund të jetë lehtë edhe tendencioz nga qarqe të caktuara opozitare ose të tjera”.

Mustafa vlerëson se Gjilani ka marrë tashmë pamje tjetër, por GAP-i këtë nuk e sheh.

“Nga një qytet që në vitin 2007 ishte me plotë gropa, i papastër, i katandisur në baltë e në terr edhe në qendër të qytetit, me konflikte politike e pronësore, me administratë burokratike, abuzuese, me tym duhani e me gjygyma qaji në të”, ka thënë Mustafa. “Tash Gjilani është qytet tipik evropian për nga mënyra se si mirëmbahet dhe si funksionon në raport me qytetarin e tij”.

E nuk ka hezituar as të thur lavde për puënën dhe arritjet e tij si kryetar.

“Nuk ka më gropa askund nëpër rrugët e tij, është qyteti më i pastër në Kosovë, është qyteti me hapësirat më të mira gjelbëruese, është qyteti me ndriçimin më të mirë publik në aksin kryesor dhe me mbulueshmëri të mirë në gjithë zonën urbane e rurale”.

Edhe klimën për investime thotë se Gjilani e ka të mirë derisa ai është në krye.

”Është qytet me vlimet më të mëdha të investimeve në ndërtime të larta (GAP këto ndërtime nuk i sheh) të cilat e kanë bërë qytetin modern, kanë punësuar mijëra njerëz, kanë kontribuar në buxhetin e komunës dhe të shtetit, e kanë kursyer tokën e bukës nga ndërtimet... Jemi komuna me administratën më të mirën në vend, me shkallën më të lartë të të hyrave. Jemi të parët në riatdhesimin e personave dhe në integrimin e shoqërisë së saj multietnike”, kanë vazhduar lavdet e Mustafës.

Prandaj duke numëruar këto të arritura një nga një, Mustafa vlerëson se GAP bazohet në komentet e ndonjë mediumi kur thotë ai është i përfolur për përzierje në procedurat e prokurimit dhe lidhjes me bizneset e komunës.

Prandaj ai ka ftuar publikisht GAP-in që të sjellë argumente për përzierje të kryetarit në procedurat e prokurimit dhe në ”lidhjet” me bizneset.

Qemajl Mustafa nuk ka qenë për asnjë çast në konflikt të interesit me një biznes pasiv të regjistruar në shtator të vitit 2006 (kur kryetari i tashëm nuk ka parë as ëndërr që do të bëhej kryetar) dhe biznesi nuk ka punuar asnjëherë pra, qarkullimi i tij në ATK është zero. E ftoj që kujdesshëm ta lexojë ligjin dhe të mos prodhojë mjegull e tym për ta hutuar publikun e komunës e të vendit”.

Mustafa gjithashtu ka sqaruar se gjatë këtij viti komuna po e sanon gjendjen e borxhit te ky kod sepse na është mundësuar liri më e madhe në planifikim për këtë vit nga qeveria dhe po vazhdojmë me punë normale.

“Aspak nuk është e vërtetë që komuna ka shpenzuar 434.964 euro për karburante për vetura. Shpenzimi në komunën e Gjilanit për karburante për vetura është përherë më pak ose rreth 50 mijë litra karburante ose rreth 60 mijë euro”, ka thënë ai, duke ftuar institutin GAP që të kthjellohet herët apo vonë vet pse sipas tij këtë institut do ta kthjellojë ligji./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›