E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komision për zbatimin e Ligjit për Kontroll të Duhanit

Pas dekretimit të Ligjit për Kontroll të Duhanit nga presidentja e Kosovës, shumë shpejt pritet të formohet Këshilli Ministror i cili do të merret me zbatimin e ligjit. Përderisa dy asociacionet e biznesit, Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo amerikane në Kosovë, ende kundërshtojnë ligjin, organizata “Konsumatori” kritikon këto dy asociacione se për interesa të biznesit, duan ta dëmtojnë shëndetin e popullatës.

Ministria e Shëndetësisë shumë shpejt do të fillojë me krijimin e një Këshilli Ndërministror me nivele të larta politike të ministrive të cilat duhet të zbatojnë këtë ligj, ka thënë për Radio Kosovën këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

“Dhe ky Këshill bashkë me trupat e tjerë, inspektoratet dhe mekanizmat e rinj të cilat janë fut në zbatimin e këtij ligji do të punojnë në aplikimin e tij. Neve na gëzon fakti që shohim një disponim të mirë tek qytetarët por edhe një numër i konsiderueshëm i bizneseve që ligjin ta pranojnë dhe të fillojnë ta zbatojnë atë”, tha Hoti.

Por, kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu ende kundërshton ashpër ligjin, duke kritikuar deputetët të cilët kanë votuar dhe presidenten e cila ka dekretuar ligjin.

“Atë ditë kur është dekretuar ligji nga presidentja është varrosur dialogu publiko privat ose të dëgjuarit të zërit të sektorit privat. Është koha kur duhet vërtet edhe populli ta thotë fjalën e vet, kujt ia jep votën, sepse nuk është arsyetim nëse ju bisedoni me 46 deputetë dhe të gjithë ata thonë se nuk kanë ditë çka kanë votua atë ditë kur e kanë ngritë dorën”, tha Gerxhaliu.

Edhe pse në çështjen e vendosjes së masave kufizuese për import të çimentos kishin qëndrime të kundërta, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane për çështjen e nenit 9.2 të Ligjit të ri për Kontroll të duhanit kanë qëndrime të njëjta. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK) Arian Zeka, është në linjë të njëjtë me kreun e Odës, Gërxhaliun.

“Pika e cila është kontestuese për OEAK dhe besoj për pjesën më të madhe të komunitetit të biznesit, është neni 9.2 e cila kë të bëjë me ndalesën e ekspozimit... Mendoj që nuk jemi ende të gatshëm për të pasur këtë nen kaq kufizues”, tha Zeka.

Mirëpo, në përkrahje të ligjit por edhe me kritika ndaj asociacioneve të biznesit, ka dalë kreu i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

“Ju lutem, cili biznes ka të drejtë të na helmojë, të na rrezikojë shëndetin, me qëllim të përfitimeve personale. Mos të harrojmë se ne si konsumatorë jemi edhe taksapagues dhe gjenerues kryesorë të buxhetit të Kosovës dhe imagjinoni dëmet në të cilat thirren shitësit e duhanit karshi dëmeve që duhani ia shkakton konsumatorit kryesisht me sëmundjet e traktit respirator, ato shpenzime të rikuperimit të konsumatorit kalojnë shifrat qindra milionëshe”, tha ai.

Kaçaniku thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet të kthehet prapa me këtë ligj, por duhet të zbatohet në tërësi ashtu si është./rtk/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›