E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Jo bisedime me Serbinë, pa kushte

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se kryenegociatorja Edita Tahiri, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk duhet të lejojnë që të vazhdohen bisedimet me Serbinë pa i vendosur kushtet e veçanta dhe pa e përcaktuar pozicionimin e qartë të Kosovës në këtë dialog, i cili ka ndryshuar pas 25 korrikut.
“Tashmë 25 korriku e ka ndryshuar pozicionimin e bisedimeve. Është parë që njeriu i cili e përfaqëson Serbinë në bisedime ka qenë ai i cili në një formë i ka shtytë strukturat kriminele në veri që ata të mbajnë barrikada. E ka shpallë atë territor si territor të Serbisë dhe unë nuk shoh asnjë arsye që dikush të ulet dhe të bisedoj me atë që territorin tënd e shpallë territor të vendit të vet sepse shtrohen në pyetje parimet”, ka thënë ndër të tjera Mustafa.
Ai thekson gjithashtu se LDK-ja, do të bëjë çdo gjë që të përkrahë iniciativën, aktivitetet dhe masat që të vendoset rendi dhe ligji atje dhe që të funksionoj Kushtetuta.
“Por po ashtu presim që këtë ta bëjnë në mënyrë parimore edhe ndërkombëtarët, sepse tek ne ata nuk munden që me dy kute të veprojnë në Kosovë, që në një pjesë të Kosovës të thonë se nuk e zbatojnë ligjin, kurse në pjesën tjetër për shkak të pazareve me Serbinë të lejojnë që njerëzit të zhvillohen apo veprojnë si grupe kriminale dhe të kriminalizojnë atë pjesë të Kosovës dhe kriminalizojnë edhe jetën atje dhe të ndikojnë keq në buxhetin dhe kryerjen e punëve të institucioneve të Kosovës”, shprehet Mustafa.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›