Mustafa: Kosova ka nevojë për një kryeministër të edukuar

Në ceremoninë festive, të mbajtur në Hotel “Emerald” në Prishtinë, edhe kësaj radhe u vrejtë mungesa e shumë personaliteteve që themeluan LDK-në. Po ashtu, edhe pse ishin të rezervuara karriget për pjestarët e familjes Rugova, ata nuk ishin prezent.
Për disa minutave vonesë ka mbërritur edhe ish-kryetari i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Gjithashtu kanë qenë prezent edhe disa nga zyrtarët e ambasadave të huaja në Kosovë, por ansjë mbasador.
Me këtë rast kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka filluar fjalimin e tij në nderim të të gjithë veprimtarëve të Lidhjes Demokratike, të cilët nuk janë më gjallë.
Ai ka thënë se 22 vjet më parë, dijetari i madh, Ibrahim Rugova, i përkrahur nga intelektualët, studentët, punëtorët edhe në mënyrë vendimtare nga shqiptarët e Kosovës, formoi Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e quajti “lidhje të besës, e të jetës shqiptare”.
Për më tepër ai ka shtuar se 22 vjet më parë presidenti historik dhe burrështetasi i shquar, Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nisën punën e rëndë përplot sfida, sakrifica e flijime, siç ishte rruga e çlirimit të shqiptarëve të Kosovës.
Mustafa ka shtuar se Rugova dhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, së bashku me ata të UÇK-së morën vendime të rëndësishme, të cilat shërbyen për fillimin e ndërhyrjes së NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare, që sollën fundin e sundimit të agresionit serb në Kosovë.
Ndërkohë, duke folur për vitet e pasluftës, Mustafa ka thënë se kjo parti fitoi dy herë zgjedhjet, duke u realizuar edhe synimi dhe ëndrra e LDK-së për të shpallë pavarësinë e Kosovës.
“Pas luftës, LDK-ja vazhdoi të luajë rolin e saj karshi besimit që gëzoi nga qytetarët, zhvilloi bashkëpunim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare, fitoi dy herë rresht në zgjedhjet nacionale, si dhe mori pjesë në qeverisjen e vendit deri në zgjedhjet e fundit të vitit 2010. Gjatë kësaj periudhe u realizuan synimet dhe ëndrra e LDK-së dhe u shpall Kosova shtet sovran dhe i pavarur, duke u pranuar ndërkombëtarisht nga shumë vende të botës”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK-së theksoi se në vitet e pasluftës, LDK-ja filloi të profilizohet si parti politike në një konkurrencë të jetës shumë partiake në Kosovë dhe në frymën e kërkesave të reja për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe forcimin e tij.
Por, ai me këtë rast ka adresuar edhe kritika në adresë kryeministrit të vendit dhe kabinetit qeveritar, që sipas tij deklarohen se po e luftojnë korrupsionin, ndërsa e ushqejnë atë.
“Ne sot jemi dëshmitar se Kosova po qeveriset keq, kjo nuk na habit, se nuk mund të qeverisin mirë ata që qeverisin pa votën e qytetarëve dhe ata që abuzuan me votën e tyre. Ata që abuzojnë me votën, abuzojnë me pushtetin dhe me shtetin. Kjo qeveri karakterizohet me mungesë të progresit, me papunësi masive, me ekonomi të pazhvilluar dhe në rënie, me shkallë të lartë të korrupsionit, me një qeveri që flet për korrupsionin, por korrupsionin e ushqen dhe nuk e luftën. Qeveria e cila i kontrollon mediat dhe i pamundëson fjalën e lirë, qeveria e cila kontrollon kompanitë publike dhe pronën e tyre, dhe qeveria e cila menaxhon keq pronën publike”, ka thënë ai.
Për më tepër ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është qeveria më jotransparente në Evropë. Madje ai ka thënë se kjo qeveri u takon gazetarëve politik të saj, të cilët me rroga qeveritare, të njëjtit i përdor për të bërë dhe për të krijuar dosje për rivalët politik të saj.
I pari i LDK-së ka thënë se kjo qeveri, e cila e quan veten qeveri evropiane, i fyen me gjuhë të rrugëve rivalët politik. Për këtë ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një kryeministër të edukuar dhe që i respekton njerëzit dhe qytetarët e vet.
“Ky vend meriton një kryeministër më të edukuar, një kabinet qeveritar dhe kryeministër që i respektojnë njerëzit, respektojnë qytetarët e saj. Kosova duhet të qeveriset në mënyrë demokratike, nga organet që dalin nga vota e lirë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, në fillim të vitit e ardhshëm LDK do të mbajë Konventën punuese, në të cilën do të shpalos programin e saj politik dhe statusin. Por sipas Mustafës kësaj Konvente do t’i paraprijë një debat i gjërë në teren për të konkretizuar politikat e partisë, të cilat do të qojnë Kosovën përpara dhe LDK-së do t’i sigurojnë fitore të fortë dhe sigurtë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, parlamentare dhe lokale.
22 vjetorin e themelimit e nisin me homazhe tek varri i Rugovës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot shënon 22-vjetorin e themelimit të saj. Një delegacion i këtij subjekti të prirë nga kryetari, Isa Mustafa kanë zgjedhur që shënimin e ditëlindjes së partisë, ta nisin me homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova.
Me këtë rast, lideri i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa tha se LDK-ja si partia e parë demokratike në rajon më vonë me punën e saj i ka dhënë shpirt edhe lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ai ka folur edhe për rëndësinë që pati Ibrahim Rugova në themelimin e LDK-së dhe kontributin e tij të dhënë për afirmimin e Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Sot ishim për t`ia bërë nderin kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetarit historik, presidentit historik të vendit, presidentit të parë të Republikës së Kosovës, i cili e ka dhënë një kontribut historik në zhvillimin e Lidhjes Demokratike dhe kontribut historik në zhvillimin e idesë për pavarësi dhe për liri të Kosovës, i cili e ka afirmuar Kosovës në arenën ndërkombëtare, i cili me shpirtin e tij humanitar, me idetë e tij, me dijen e tij ka kontribuar që Kosova të respektohet edhe në momentet më të vështira nga vendet e tjera”, ka thënë Mustafa.
Madje, sipas Mustafës, në saje të Ibrahim Rugovës sot Kosova po e gëzon lirinë dhe pavarësinë dhe tashmë është hapur mundësi që me përgjegjësi të ndërtohet shteti.