Mustafa Nano: KQZ-ja mund të çmendet vetë, por nuk mund të çmendë dynjanë
Në shkrimin e tij Nuk ka ligj që i detyron televizionet të pranojnë kasetat e partive tek Shqip i sotëm, Mustafa Nano artikulon edhe një herë problemin e madh të manipulimit të informacionit tek votuesi përmes kasetave të para-montuara nga shtabet e partive.
Pasi analizon ligjin që nuk është ligj, Nano hedh dyshimin se disa medieve u vjen për mbarë të mbulohen pas kësaj gjetheje fiku për atë që po bëjnë, nënshtrimin ndaj vullnetit të partive. Shkruan Nano:
Kam përshtypjen se televizionet që vënë në transmetim kasetat e partive e kanë thjesht si alibi vendimin e KQZ-së, ngaqë në të vërtetë janë ato vetë që, për hesape të tyret, duan ta bëjnë këtë lojë. Vendimi në fjalë i KQZ-së nuk është detyrues. KQZ-ja e ka bërë për të qenë detyrues, por nuk ka se si të jetë detyrues, pasi KQZ-ja nuk mund të urdhërojë televizionet se si të bëhen lajmet, nuk mund të ndalojë gazetarët të futen në mes të një tubimi elektoral e të shohë çfarë organizatorët nuk do donin që të shihej, nuk mund të ndalojë gazetarët të mos informojnë lidhur me një tubim, nëse në atë tubim nuk thuhet asgjë me interes për publikun, nuk mund të ndalojë gazetarët që të bëjnë një raportim me logjikë të plotë gazetareske etj., etj. KQZ-ja mund të kontrollojë televizionet se si e shpërndajnë kohën e edicioneve informative, por asgjë më shumë se kaq. Nëse KQZ-së ia jep truri të bëjë gjëra që si ka për tagër, le tia japë. KQZ-ja mund të çmendet vetë, por nuk mund të çmendë dynjanë. Aq më pak, gazetarët.
Më pas, si me të qeshur, argumenton që ligje ët tilla absurde mund të bëhen plot, si p.sh.: …kandidatët për deputetë duhet të paraqiten çdo mëngjes para KQZ-së, ti thonë mirëmëngjes Lefteri Lleshit, ta puthin dhe në faqe, e veç pastaj të shpërndahen nëpër qarqe. Lefteria mund ta gjejë ndonjë nen, ku të kapet për ta nxjerrë një vendim të tillë… dhe më pas shqetësohet: Apo bëra gabim që ia shtira në mendje?