E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa: Nuk mund të jem më argat i PDK-së

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan është përçarë. Kryetari i Komunës Xhemajl Mustafa nuk ka mendim të mirë për kryetarin e ri të degës së Gjilanit Zenun Pajaziti. Pakënaqësitë vijnë për shkak të luftës për kandidat për kryetar komune nga kjo parti.

Mustafa thotë se Pajaziti e ka uzurpuar këtë degë, dhe se vetë po ndjehet si argat.

“Unë nuk mund të jem çdo herë argat i PDK-së. Këtë e kam bërë që nga viti 2000. Nuk kam kursyer asgjë për PDK, as nga buxheti im, PDK-ja nuk ma ka shpërblyer postin e kryetarit, por votat e qytetarit gjilanas”, ka thënë ai për Indeksonline.

Mustafa nuk e fsheh dëshirën për t’u bërë kryetar por thotë se këtë e sheh si sakrificë. Ndërkaq ai tregon edhe se këtu ka ndërhyrë kreu i partisë.

“Jam i gatshëm që përsëri të sfidohem për kryetar komune. Garantoj që e mund çdo kandidatë që më del përpara, por nëse zoti Thaçi, do ta kandidojë ndonjërin nga bashkë familjarët, Musmurati, a Pajazitin, ja paftë hajrin”, thotë ai.

Sipas tij, monopoli vjen për shkak se Pajaziti e Musmurati janë nga i njëjti fshat.

“Është edhe një anomali që e dëmton këtë ‘përfaqësim’, sepse këta dy vijnë nga i njëjti fshat i Kamenicës dhe janë në fund të fundit në lidhje të afërt familjare. Sipas perceptimit tim, që mendoj se është perceptim i shumicës së degës dhe qytetarëve në Gjilan, kjo ka reflektuar keq. Sa më përket mua, nëse kështu mendon kreu i partisë, Hashim Thaçi, kështu edhe le të jetë”.

Pajzaiti deri tash ka lavdëruar udhëheqjen e komunës së Gjilanit por e ka kritikuar ashpër strukturën e PDK-së në këtë qytet duke thënë se vetëm tash pas zgjedhjes së tij si kryetar i degës janë funksionalizuar struktura e kësaj dege./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›