E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa Taçi dekorohet me titullin “Qytetar Nderi i Ersekës”

Mesditën e së mërkurës, në sallën e Bibliotekës të qytetit të Ersekës, në prani të qindra banorëve të këtij qyteti, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi i Ersekës”, akorduar nga Këshilli Bashkiak, zotit Mustafa Taçi, me motivacionin “Pasardhës i familjeve fisnike që kanë qeverisur Kolonjën e më gjerë. Mbartës i vlerave të shkëlqyera të familjes së tij dhe të krahinës së Kolonjës. Kontribut të shquar në pasurimin dhe përhapjen e këtyre vlerave në ditët e sotme, kontribut të pazëvendësueshëm në rritjen e cilësisë së jetës sportive në qytetin e Ersekës”.
Mustafa Taçi, me profesion inxhinier, vjen nga një familje me tradita të shquara patriotike. Zoti Taçi përjetoi kalvarin e persekutimit politik prej 45 vjetësh, vetëm e vetëm sepse i jati i tij, Nevrus Taçi, shquhej për idetë e tij përparimtare dhe nacionaliste, për të cilat dhe u vra pabesisht mbas shpine. Me propozim të popullit të Kolonjës, Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekret nr.8933, datë 21.07.1994,  vlerësoi  Nevrus Taçin me medaljen “Martir i Demokracisë” me motivacion “Sakrifikoi jetën e tij, në luftë  të hapur kundër fashizmit dhe komunizmit, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike”.
Sot, Mustafa Taçi, kontribuon  jo vetëm si President i “Sport Klub Gramozit”, por edhe në realizimin e projekteve në ndihmë të rigjallërimit të vlerave dhe zhvillimit të qytetit të Ersekës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›