Mustafa: Tërhiqem se nuk ka hapësirë veprimi
(E plotësuar) Muhamet Mustafa, nga Koalicioni për Kosovën e Re, ka konfirmuar se nuk do të mbajë asnjë post në Qeverinë Thaçi 2, pasi konsideron se nuk do të kishte hapësirë veprimi për të implementuar programin e tij ekonomik.
“Ne nuk kemi vënë vija të kuqe për të hyrë në qeveri, por kemi vënë kritere për të pasur hapësirë për të vepruar”, tha Mustafa, në një prononcim për gazetarët, në hollin e Kuvendit të Kosovës.
“Në situatën aktuale, preferoj të mbetem deputet në kuadër të grupit të AKR-së”, ka shtuar ai.
Mustafa i ka quajtur spekulimet raportimet e disa medieve se tërhiqet nga posti i ofruar, për shkak se nuk dëshiron të jetë bashkë me Bujar Bukoshin.
Mustafa është pjesë e grupit të ekspertëve E15 që para zgjedhjeve iu bashkua Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit.
Tërhiqet Muhamet Mustafa?
Muhamet Mustafa nga Koalicioni për Kosovën e Re, është tërhequr nga posti i premtuar për zëvendëskryeministër të Kosovës, raporton KTV.
Raportohet se tërheqja e Mustafës lidhet me premtimin se edhe Bujar Bukoshi nga Lista “Ibrahim Rugova” do të zgjidhet zëvendëskryeministër.
Mustafa është pjesë e grupit të ekspertëve E15 që par zgjedhjeve iu bashkuan Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit.
Mediat kanë raportuar se Listës Rugova i është premtuar përveç postit të zv/kryeministrit, edhe një ministër dhe dy zëvendësministra.