E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga gripi vdes Enver Mazreku

Nga Express më 21 shkurt 2011 në ora 16:33

(E plotësuar) Në Klinikën Infektive të QKUK në Prishtinë, të dielën në mbrëmje, është ndarë nga jeta Enver Mazreku (1971), profesor i kimisë, drejtor i shkollës fillore në fshatin Opterushë dhe anëtar i Kryesisë së degës në LDK në Rahovovc.

I ndjeri Mazreku ishte prekur nga virusi AH1N1 (gripi i derrit) dhe për rreth dy javë qëndroi i shtrirë në QKUK dhe megjithë përpjekjet e mjekëve të Klinikës Infektive, ai vdiq mbrëmë rreth mesnatës, raporton QIK.

Ceremonia mortore e varrimit të Enver Mazrekut u bë sot në orën 13.00, në Opterushë, ku morën pjesë miq e familjarë, përfaqësues të Asamblesë komunale të Rahovecit dhe të LDK-së. I ndjeri Mazreku la pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Mblidhet konsiliumi për analizim të AH1N1

Konsiliumi për analizim të gripit A/H1N1, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është mbledhur sot për të analizuar dhe diskutuar situatën e fundit në vend, të krijuar nga pandemia e gripit A H1N1, dhe ecurisë së pafavorshme të disa të sëmurëve, dhe më qëllim të menaxhimit adekuat të këtyre të sëmurëve.

Grupi i ekspertëve në përbërje: Shemsedin Dreshaj - infektolog, kryetar i konsiliumit; Muharrem Bajrami – infektolog; Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së; Gazmend Zhuri – pulmolog; Basri Lenjani - drejtor i Mjekimit Emergjent; Rexhep Manaj – kardiolog dhe Hysen Hyseni - anesteziolog/reanimatolog.

Ky grup, pas analizimit detal të situatës me Gripin H1N1 në QKUK, përfundoi se nga data 20 dhjetor 2010 deri më 21 shkurt 2011, në QKUK, gjegjësisht në Klinikën Infektive, nëpër reparte dhe në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive, deri me sot janë spitalizuar dhe trajtuar 282 raste me shenja për grip dhe të dyshimta për infeksion me H1N1.

Nga 282 rastet, në 182 prej tyre është dokumentuar infeksioni me virusin e gripit H1N1, dhe në 60 influenca sezonale A.

Nga 20 dhjetor 2010 deri më 21 shkurt 2011, në Klinikën Infektive, QKUK, 4 të sëmurë kanë pasur ecuri fatale, prej të cilëve, në 2 të sëmurë Infeksioni me virusin H1N1 ishte fatal, ndërsa 2 rastet tjerë kishin sëmundje të rënda paraprake predispozuese, ndërsa infeksioni me H1N1 ishte faktor i përkeqësimit.

Momentalisht në Klinikën Infektive, gjenden në mjekim edhe 15 të sëmurë duke u mjekuar nga gjendja gripoze, por ende e pakonfirmuar.

Nga këta pacientë, 3 janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë duke u trajtuar në mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›