Mustafa nuk respekton ligjin

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa gjatë vitit 2012 ka shkelur ligjin dy herë. Kështu kanë konstatuar përfaqësues të organizatës Iniciativa për Progres INPO, të cilët monitorojnë Kuvendin Komunal të Prishtinës në raportin e tyre për punën e këtij nstitucioni në periudhën janar – dhjetor 2012.
Raporti është i bazuar në monitorimin sistematik të komunës së Prishtinës në dy fushat kryesore të legjislativit dhe ekzekutivit.
“Kryetari i komunës i cili udhëheq me ekzekutivin, gjatë vitit 2012 ka bërë disa shkelje ligjore, atë të Ligjit për Menaxhimin e Financave dhe Përgjegjësive, ku nuk ka raportuar për shpenzimet e tre mujorit të parë të vitit 2012. Gjithashtu, kryetari z. Mustafa në shtator të këtij viti, në një udhëtim zyrtar në Britaninë e Madhe ka marr me vete edhe nënkryetarin, që sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, saktësisht nenit 60 ku tregon qartë që nënkryetari vepron në emër të kryetarit në mungesë të tij”, tha Osman Bllaca nga INPO.
INPO për vitin 2012, ka arritur t’i evidentoj shumë probleme më të cilat ballafaqohen më se shumti qytetarët e Prishtinës. Ndër problemet më të mëdha ata kanë theksuar mungesën e parkingjeve, mos efikasiteti i ndërmarrjes publike komunale “Trafiku Urban”, mungesa e çerdheve, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, si dhe mbikalimet dhe nënkalimet.
INPO konsideron se Drejtoria e Urbanizmit të komunës së Prishtinës edhe pse i ka hartuar disa plane rregulluese për disa lagje, sa i përket procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, po përballet me vështirësi të mëdha.
“Deri më tani janë legalizuar 105 objekte, ndërsa janë afër 3,500 kërkesa për leje legalizimi pa i shqyrtuar fare, si dhe 2,000 kërkesa të tjera të pezulluara që priten të rifuten prapë në procedurë për legalizim final. Nëse komuna vazhdon me këtë ritëm, nuk do të arrijë të përmbyll procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, edhe për disa vite. Arsimi në komunën e Prishtinës, ka shënuar ngritje në infrastrukturën shkollore sidomos me ndërtimin e disa shkollave. Mirëpo përkundër kësaj arsimi në komunën e Prishtinës përballet me probleme të cilësisë, mungesën e shumta të nxënësve, siguria në shkollat e mesme si dhe mungesa e çerdheve. INPO kërkon nga komuna që t’i kushtoj vëmendje të madhe cilësisë dhe nivelit të sigurisë në shkolla”, konsideron INPO.
INPO, ka evidentuar dhjetë këshilltarët më pasiv në Kuvendin komunat të Prishtinës, shumica e tyre janë të partisë në pushtet.
“Shumë nga asamblistët nuk debatojnë fare në kuvend, ku për vitin 2012, INPO ka evidentuar dhjetë asamblistët më pasiv: Bajram Selimaj – LDK, Nexhmije Berisha – LDK, Shaip Hajrizi – LDK, Arta Krasniqi – LDK, Luan Jusufi – LDK, Agim Krasniqi – LDK, Avdush Dobratiqi – LDK, Lumnije Rama – PDK, Meliza Haradinaj – AAK, si dhe Valon Hiseni nga AKR-ja”. /Indeksonline/